Lidhje

Billi i të Drejtave u dha të drejta të veçanta politike qytetarëve amerikanë


Billi i të Drejtave është emërtimi që u jepet 10 amendamenteve të para të Kushtetuës amerikane. Ky dokument u ratifikua më 15 dhjetor të vitit 1791 dhe ai përmbante garanci për të drejtat dhe liritë që ishin lënë jashtë kushtetutës. Amendamenti i Parë thotë, midis të tjerash, se “Kongresi nuk do të miratojë asnjë ligj...që kufizon lirinë e fjalës, ose të shtypit.”

Analistët thonë se në demokraci, dhe në mënyrë më specifike, në Shtetet e Bashkuara, roli i shtypit është i dy-anshëm: të informojë publikun dhe ajo që është më e rëndësishme, të luajë rolin e vëzhguesit për aktivitetet e qeverisë.

Ben Bredli, ish-kryeredaktor i gazetës Uashington Post, thotë se marrëdhëniet mes qeverisë dhe shtypit janë si ato mes dy kundërshtarëve, gati konfrontuese.

"Një gazetar kurrë nuk do të thonte se marrëdhëniet me qeverinë janë të mira. Sepse në se do ta thonte një gjë të tillë, ndoshta do të ishte duke gënjyer dhe qeveria do ta trajtonte shumë mirë. Qeveria nuk ka përse të na trajtojë ne mirë, ajo thjesht duhet të mos na pengojë”.

Por, siç thotë zoti Bredli, qeveria jo gjithmonë e le të lirë shtypin. Nganjëherë ajo i çon edhe në gjykatë mediat, për të ndaluar publikimin e materialeve, për të cilat ajo mendon se janë delikate dhe se përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Në mesin e korrikut të vitit 1971, gazeta Nju Jork Tajms, e ndjekur më pas edhe nga Uashington Post, filloi publikimin e asaj që u bënë të njohura si “The Pentagon Papers”, Dokumentet e Pentagonit – një sërë materialesh sekrete të Departamentit të Mbrojtes, lidhur me përfshirjen e ushtrisë amerikane në Luftën e Vietnamit.

Administrata e Presidentit Nixon, duke cituar shqetësimet për sigurinë kombëtare, siguroi një urdhër të gjykatës federale që ndalonte gazetën të publikonte artikujt. Gazeta e apeloi vendimin e Gjykatës. Në një vendim historik, Gjykata e Lartë tha se qeveria nuk kishte provuar siç duhet se publikimi i dokumenteve të tilla do ta dëmtonte sigurinë kombëtare të vendit. Kështuqë, shtypi u lejua të vazhdonte publikimin e dokumentave.

Disa analistë thonë se kurdoherë do të ketë një lloj lufte mes shtypit dhe qeverisë lidhur me sigurinë kombëtare. Stefen Hes është analist në Institutin Brookings.

"Natyrisht, që gazetarët nuk do ta bënin të njohur kohën e nisjes së një anijeje luftarake amerikane plot me trupa, një infromacion ky që do mund të lexohej nga armiqtë. Pra, qeveria ka sekrete dhe shtypi ka detyrime, me sa ka mundësi, të gjejë se çfarë po ndodh dhe shumë shpesh zgjedh që të mos i japë këto lajme sekrete. Shumë njerëz nuk e kuptojnë shkallën në të cilën shtypi ynë i lirë zgjedh t’i mbajë sekretet e qeverisë, për të cilat vetë gazeta duhet të gjykojë, në se duhet botuar një material, apo jo"?

Nga ana e tij, Kristofër Simpson, Profesor i Gazetarisë në Universitetin Amerikan, thotë se shumica e vendeve, mes tyre edhe qeveria amerikane, kanë prirjen të anojnë së tepërmi nga shqetësimet për sigurinë kombëtare.

"Gazetarët shqetësohen, se në se bëjnë një gabim të vogël, mund të ndodhte diçka me të vërtetë e keqe, ose dikush mund të vritej. Dhe këto shqetësime nuk janë joracionale, ato janë të arsyeshme".

Por shumë gazetarë, mes tyre edhe Ben Bredli, thonë se gazetarët nuk përbëjnë shqetësim për sigurinë kombëtare të vendit.

"Unë jam 85 vjeç. Kam një kohë të gjatë që jam në këtë biznes dhe nuk mbaj mend qoftë edhe një rast të vetëm, kur ne kemi publikuar një informacion që do të përbënte shqetësim për sigurinë tonë kombëtare. Para së gjithash, unë nuk do ta bëja një artikull të tillë, në se do të përbënte kërcënim".

Ekspertët thonë se në një vend demokratik, do të ekzistojë kurdoherë një ekuilibër delikat mes nevojës së qeverisë për të ruajtur sigurinë e shtetit nga njëra anë dhe nevojën për një shtyp të lirë, të hapur dhe të aftë për ta kritikuar qeverinë, në anën tjetër. //ze//

XS
SM
MD
LG