Lidhje

Kushtet e BE-së mund të prekin sistemin energjitik të Ballkanit


Qendrueshmëria e sistemit energjitik në Ballkan mund të dëmtohet si pasojë e planeve të Bullgarisë për të shkurtuar ndjeshëm eksportin e energjisë vitin e ardhshëm. Arsyeja është se standardet e Bashkimit Evropian kërkojnë që vendi të mbyllë dy prej reaktorëve të tij bërthamorë.

Tani që Bullgaria bën përgatitjet përfundimtare për të hyrë në Bashkimin Evropian, uzina e saj e vetme bërthamore, Kozloduy, rreth 200 kilometra në veri të Sofjes, do të mbyllë dy prej reaktorëve më 31 dhjetor, në bazë të marrëveshjes së Bullgarisë me Bashkimin Evropian, ku ajo do të hyjë më 1 janar.

Reaktorët e uzinës Kozloduy japin gjithsej 3760 megavat energji dhe plotësojnë 44 përqind të nevojave të Bullgarisë për elektricitet. Ata e lejonin vendin të eksportonte rreth 20 përqind të energjisë.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 1993 mes Komisionit Evropian dhe qeverisë bullgare, dy reaktorë u hoqën nga puna në fund të vitit 2002 dhe deri në mars 2006 Bullgaria eksportonte rreth 14 përqind të energjisë.

Tani uzina kërcënon ta ndalë plotësisht eksportin e energjisë në vitin 2007 kur të mbyllen edhe dy reaktorë të tjerë.

"Ne planifikojmë të mbyllim dy reaktorë dhe të ndalim eksportin më 31 dhjetor në bazë të planeve me zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe atyre bullgarë," thotë Kiril Nikolov, drejtori i uzinës.

Bullgaria është eksportuesi më i madh i energjisë elektrike në Ballkan. Ajo u jep vendeve fqinje dhe shteteve të tjera ballkanike më shumë se 7 milion megavat orë energji në vit.

"Nuk mund ta besoj dhe nuk e kuptoj se përse ata nuk përpiqen të gjejnë zgjidhje në vend që t’i mbyllin reaktorët. Informacioni mbi të cilin ata i bazojnë planet e tyre është 15 vjet i vjetër dhe ata as që duan t’ja dinë se gjërat kanë ndryshuar. Me këtë nuk humbet vetëm Bullgaria por edhe Evropa," thotë Nikolov.

Ministri bullgar i Ekonomisë dhe Energjisë, pohon gjithashtu se kjo i kërcënon eksportet e energjisë. Ai ua hedh fajin kërkesave të Bashkimit Evropian.

"Me këtë do të preket i tërë rajoni prandaj Bashkimi Evropian duhet të japë kompensime. Tani Bullgaria është në Evropë dhe Evropa duhet të përfitojë nga kjo. Ne kemi energji për të gjithë rajonin dhe më tej kurse tani do të na duhet që vuajmë të gjithë pasojat," tha drejtori i uzinës Nikolov.

XS
SM
MD
LG