Lidhje

Sigurimi i energjisë në Shtetet e Bashkuara


Në Shtetet e Bashkuara, një grup biznesmenësh dhe ish-komandantësh të lartë ushtarakë i kanë bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit që të pakësojë varësinë e Amerikës tek nafta e huaj, gjë që ata thonë se është e domosdoshme për sigurinë kombëtare. Ata se për shkak të paqendrueshmërisë në pjesën më të madhe të vendeve që prodhojnë naftë, në vitet në vazhdim mund të ketë një krizë rezervash

Në një raport të kohëve të fundit, Këshilli Drejtues i Sigurisë për Energjinë thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta përmirësojnë rrënjësisht sigurinë e energjisë së vendit duke marrë një sërë masash për të pakësuar mbështetjen tek nafta e huaj. Bashkëkryetari i grupit Frederick Smith që është president i Korporatës Fedex thotë se qoftë edhe një problem i vogël në furnizimin me naftë do të kishte pasoja të rënda tek ekonomia amerikane. “Përveç ndoshta përhapjes bërthamore dhe armëve të shkatërrimit në masë, nuk ka kërcënim më të madh ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe sigurisë ekonomike, sesa varësia jonë e vazhdueshme tek nafta e importuar”. Në raport thuhej se për shkak të paqendrueshmërisë në pjesën më të madhe të vendeve që prodhojnë naftë, në vitet në vazhdim mund të ketë një krizë rezervash.

Këshilli thotë se edhe një mungesë prej katër për qind në furnizimin me naftë do ta çonte çmimin e saj në 120 dollarë për fuçi, rreth dyfishi i çmimit aktual. Frederick Smith thotë se konkurrenca për burime energjie nga ekonomi të tjera që po rriten me shpejtësi ushtron edhe më shumë presion tek kërkesa dhe oferta. “Në një kohë kur varësia jonë tek energjia është rritur, ekonomi të reja që po zhvillohen me ritëm të shpejtë si Kina dhe India po kërkojnë sasi të konsiderueshme nafte dhe këto rezerva gjithnjë e më shumë gjenden në zona të paqëndrueshme të botës”.

Komisioni sugjeron hartimin e ligjeve që do të shtonin rendimentin e përdorimi të karburantit për automjetet, përfshirë kamionët e vegjël. Komisioni thotë gjithashtu se Kongresi duhet të miratojë ligje të reja për shtimin e burimeve alternative dhe duhet të zbutë kufizimet për eksplorimin e naftës jashtë vendit.

Në grupin që propozon këto rekomandime bëjnë pjesë një numër ish-udhëheqësish të ushtrisë si admirali në pension Gregory Johnson që ka qenë komandanti i forcave amerikane të marinës në Evropë. “Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë përsa i takon sigurisë së energjisë për të garantuar me të vërtetë sigurinë e energjisë për shekullin e 21-të për vendin tonë është të punojmë seriozisht për pakësimin e kërkesës dhe zgjerimin e larmisë së burimeve”. Duke mbledhur së bashku përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe oficerë në pension, këshilli thotë se ka si synim t’i japë fund një mosveprimi të gjatë në fushën e politikave të energjisë.

Këshilli e pranon se do të duhen vite për të pakësuar varësinë e vendit tek nafta e huaj por thekson se është i nevojshëm hartimi i një kuadri ligjor të hollësishëm për të përmirësuar sigurinë ekonomike dhe kombëtare të Amerikës. //rd//

XS
SM
MD
LG