Lidhje

KQZ: Situata parazgjedhore, paradoksale dhe e paprecedent


KQZ shprehu sot shqetësim të thellë për skadimin e afateve ligjore për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore si edhe për ngritjen e komisioneve zonale të zgjedhjeve, ku kandidatët do të duhet të regjistroheshin.

Kryetari i KQZ, Çlirim Gjata, tha se kjo situatë është e paprecedent, dhe se Komisioni Qendror u ka kërkuar partive shumë kohë më parë që të sjellin listat e komisionerëve të tyre, pa përfshirë këtu edhe mungesën e vullnetit të një pjese të pushtetit vendor në përgatitjen e listave të votuesve, të qendrave të votimit dhe numrin e votuesve për çdo qendër votimi. "Edhe pse situata mund të duket paradoksale, Komisioni ka një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, dhe do të bëjë gjithçka që varet prej tij për të përmbushur këtë detyrim kushtetues dhe ligjor" - tha ai.

Zoti Gjata tha se në KQZ janë regjistruar rreth 40 parti që duan të marrin pjesë në garë, dhe një nuër jo i vogël kandidatësh të pavarur të cilët janë përjashtuar nga e drejta e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. "Ngritja e komisioneve ose procesi zgjedhor në tërësi po mbahet peng për shkak të disa pretendimeve politike, gjë që nuk duhet të kishte ndodhur dhe nuk duhet të ndodhë. Nuk mund të mbash peng procesin zgjedhor që të mos ecë përballë të drejtës së qytetarëve për të votuar, për shkak se nuk janë plotësuar standartet apo se nuk njeh rezultatin. Ajo është një qëndrim politik" - tha zoti Gjata.

Ndërkaq përfaqësues të Koalicionit Shqiptar Kundër Korrupsionit, deklaruan se kjo që po ndodh me zgjedhjet vendore e kapërcen çdo përfytyrim të lojërave politike në Shqipëri. "Ne i bëjmë thirrje forcave politike shqiptare që të gjejnë fjalën e përbashkët, të ulen së bashku dhe të zgjidhin problemin. Ne kërkojmë që të shkojmë në zgjedhje. Ne kërkojmë që të votojmë për atë alternativë që na duket më e mira." - tha Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ, në emër të ACAC dhe Aksionit Qytetar për Reforma Zgjedhore. Ai tha se partitë po tejkalojnë të drejtat e tyre të njohura me ligj, dhe po i japin vetes më shumë kompetenca nga ç'u takon. "Sot është dita e parë e bojkotit të zgjedhjeve, por për mendimin tonë, bojkoti i procesit zgjedhor ka kohë që ka nisur. Ligji ju njeh të drejta forcave politike, por ato lexojnë në ligj vetëm të drejtat dhe jo detyrimet e tyre. Ndaj edhe jemi sot pa komisionet zgjedhore të qeverisjes vendore" - tha zoti Kume.

Sipas ligjeve shqiptare, sot ka përfunduar afati për regjistrimin e kandidatëve për bashki e komuna si dhe listave për këshilltarë të qeverisjes vendore, ndërkohë që një pjesë e partive nuk kanë dorëzuar as listat e komisionerëve si përfaqësues partiakë në komisionet zonale të zgjedhjeve. //rd//

XS
SM
MD
LG