Lidhje

Vdes presidenti i Turkmenisë


Presidenti i Turkmenistanit Saparmurat Niyazov vdiq pas 21 vjetësh sundimi autoritar në këtë vend të pasur me naftë. Media shtetërore njoftoi se zoti Niyazov vdiq sot nga një infarkt në zemër.

Ceremonia e varrimit pritet të zhvillohet të dielën. Zoti Niyazov nuk kishte caktuar ndonjë pasues duke shkaktuar shqetësime për ndonjë luftë për pushtet në vendin e Azisë Qendrore. Media shtetërore thotë se zëvendës kryeministri Kurbanguli Berdymukhamedov është emëruar si president në detyrë.

Zyrtarë të lartë pritet të takohen të martën për të diskutuar sesi do të veprohet më tej dhe për të caktuar një datë për zgjedhjet e reja. Sipas kushtetutës kreu i parlamentit duhet të merrte postin e presidentit, por zyrtarët thanë se ai nuk lejohet ta marrë detyrën pasi është objekt i një procesi penal. Udhëheqës të opozitës turkmene në Moskë thanë se kishin në plan të ktheheshin për të konkurruar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në një deklaratë me shkrim, ambasada amerikane në Ashgabat tha se shpreson për një pasim paqësor dhe kushtetues të pushtetit në vendin e Azisë Qendrore. //rd//

XS
SM
MD
LG