Lidhje

Pekin: Përfundojnë bisedimet mbi programin bërthamor të Phenianit


Raundi i fundit i bisedimeve gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut përfundoi në Pekin pa ndonjë zhvillim të rëndësishëm.

Në një deklaratë të kreut të bisedimeve thuhet se negociatorët shpresojnë të mblidhen përsëri sa më shpejt dhe se të gjashtë palët ranë dakord për zbatimin e deklaratës së përbashkët të shtatorit 2005 sa më herët që të jetë e mundur dhe me faza.

Bisedimet pesëditëshe që përfunduan sot, ishin të parat e zhvilluara nga të gjashtë vendet prej më shumë se një viti dhe të parat qëkur Pheniani zhvilloi një provë bërthamore në muajin tetor.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, thotë se bashkësia ndërkombëtare ka të ngjarë të shtojë trysninë mbi Phenianin.

Koreja e Veriut në vitin 2005 premtoi në parim të çarmatoset, por ka kundërshtuar të negociojë zbatimin e marrëveshjes derisa Shtetet e Bashkuara të heqin sanksionet e vendosura vitin e kaluar në përgjigje të, siç thuhet, fallsifikimeve dhe pastrimit të parave nga ana e Koresë së Veriut.

Presidenti kroeanojugor, Roh Moo-hyun, tha dje se Shtetet e Bashkuara janë pjesërisht përgjegjëse për mungesën e përparimit në lidhje çarmatimin e Koresë së Veriut, duke iu referuar sanksioneve financiare. //az//

XS
SM
MD
LG