Lidhje

Profili i Sekretarit të ardhshëm të Përgjithshëm të OKB-së


Ish-ministri i jashtëm i Koresë së Jugut, Ban Ki-moon, po përgatitet të fillojë më 1 janar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Koreanojugorët janë krenarë se një bashkatdhetar i tyre ndodhet në krye të një organizate botërore aq prestigjioze. Miqtë e zotit Ban thonë se e njëjta qetësi, vendosmëri e fshehur që e ka ndihmuar deri tani të ecë para, do t’i shërbejë gjithashtu edhe si arbitër i paqes globale.

Miqtë më të ngushtë dhe kolegët e Ban Ki-moonit ishin të pranishëm kur ai po përgatitej për t’u nisur nga Koreja e Jugut për në shtëpinë e tij të re në New York.

Ndërmjet tyre: Limb Thok-kyu, i cili themeloi grupin Ban-sa-no apo admiruesit e Ban Ki-moonit. Drejtues i revistës Diplomacia, Limb ka ndjekur karrierën e zotit Ban tek përparon gjatë dekadave. Si shumë miq të sekretarit të ri të përgjithshëm, Limb e përshkruan zotin Ban si një njeri të mirë dhe të zellshëm.

“E kam takuar para 35 vjetësh kur shërbente si diplomat në Indi. Është model sinqeriteti dhe zelli në punë për të gjithë koreanojugorët. Personeli në ministrinë e jashtme e pëlqen mjaft thonë shprehjen se nuk duhet të jesh as më pak e as më shume se Ban Ki-mooni”.

Në karrierën e tij diplomatike 31-vjeçare, ai ka punuar si ambasador në Austri, si këshilltar në politikën e jashtme i presidentit koreanojugor dhe së fundmi ministër i jashtëm.

Zgjedhja e tij në krye të OKB-së është burim krenarie për kroeanojugorët këtu në Seul dhe 75 kilometra në jug, në qytetin e fëmijërisë, Chungju. Tre shokë fëmijërie të zotit Ban, një pasdite me shi, kujtojnë kohën e shkollës me zotin Ban. U ndrit fytyra ndërsa shikojnë pamjet e regjistruara nga kthimi triumfues i zotit Ban në qytet tetorin e kaluar.

Ata thonë se zoti Ban ka patur gjithmonë aftësi udhëheqëse dhe ishte president i klasës për disa vite, por shtojnë zelli në studime e bënte nganjëherë disi të vetmuar.

“I kishim vënë nofkën “mësuesi”, sepse sillej mirë në shkollë. Kurrë nuk e kam parë të luajë në oborr futboll apo sporte të tjera. Ai e kalonte të gjithë kohën e lirë dhe pushimin ulur në bankë, në mendime”, thotë njëri prej tyre.

“Nuk kishte shumë shokë. Hyri në Kryqin e Kuq për të zënë më shumë shokë dhe u takua me disa priftërinj amerikanë. I bezdiste tepër për ta ndihmuar të mësojë anglishten. Atëherë binte në sy kur koreanët shoqëroheshin me amerikanë. Por mendoj se kjo e ka ndihmuar të jetë i hapur”, thotë një banor tjetër.

Këmbëngulja e zotit Ban për të mësuar anglisht dhe rezultate. Në shkollën e mesme, ai fitoi konkursin për gjuhën angleze të sponsorizuar nga kryqi i Kuq dhe një udhëtim në Washingotn.

Ai u takua me Presidentin Kennedy në Shtëpinë e Bardhë. Kjo përvojë thuhet se ia forcoi ambiciet për t’u bërë diplomat.

Para katër vjetësh, zoti Ban ka punuar për ambasadorin e Koresë së Jugut në Kombet e Bashkuara, Han Seung Su. Zoti Han thotë se Ban Ki-moon kishte në përparësi detyrën, edhe kur kishte mundësi të shfrytëzonte influencën e tij për familjen.

“I biri u thirr në ushtri dhe u dërgua në forcat speciale – njësia më e fortë ushtarake në Korenë e Jugut. E ëma i tha ‘ti je këshilltar i presidentit dhe a nuk mundet ta rregullosh që djali yt i vetëm të shkojë në një njësi më të lehtë?’, dhe ai u përgjigj “nënë, unë jam këtu për t’i shërbyer kombit dhe jo vetëm për t’i shërbyer familjes. Djali të shkojë ku është caktuar”.

Tani, teksa merr postin drejtues të Kombeve të Bashkuara, kolegët thonë se zoti Ban do të ketë nevojë të përfitojë nga gjithë ato cilësi që e karakterizojnë, si energjia e fshehtë dhe modestia e heshtur.

Atij do t’i duhet të përpiqet të shërojë disa nga plagët më të vjetra të botës, diçka për të cilën ai ka njëfarë përvoje personale. Kur ishte i ri, zotit Ban i vdiq i ati në një aksident rrugor. Pa kaluar shumë kohë, ai u takua me shoferin dhe e fali.

XS
SM
MD
LG