Lidhje

Mbetet në fuqi dënimi me vdekje për Sadam Huseinin


Një gjykatë apeli në Irak mbajti në fuqi vendimin me vdekje ndaj udhëheqësit të përmbysur Sadam Husein për vrasjen e 148 banorëve të një fshati shiit në vitin 1982.

Kryetari i gjykatës njoftoi dje se sipas ligjit irakian, ekzekutimi i të dënuarit duhet të kryet brenda 30 ditësh.

Muajin e kaluar, një gjykatë irakiane e dënoi me varje ish-udhëheqësin irakian për vrasjen e shiitëve nga fshati Dujail pas një përpjekjeje për atentat ndaj Sadamit atje.

Gjykata e apelit mbajti në fuqi gjithashtu edhe dënimet me vdekje për vëllain e Sadamit dhe një ish-gjykatësi për vrasjet në Dujail.

Gjykatësit i ishte kërkuar të rishqyrtonte dënimin me vdekje ndaj ish nënpresidentit Taha Yassin Ramadan. Gjykata e Apelit tha se ai gjithashtu duhet të ekzekutohet.

Shumë shiitë e festuan vendimin e djeshëm, ndërsa anëtarët e pakicës suni, e cila dikur sundonte vendin, shprehën keqardhje për atë që e quajtën një vendim të motivuar politikisht.

Shtëpia e Bardhë përshëndeti vendimin e gjykatës si një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Irakut për të zbatuar shtetin juridik. Një zëdhënës tha se për Sadam Huseinin u ndoq procesi i duhur ligjor dhe ai gëzoi të drejtat ligjore, që i mohonte popullit irakian.

Avokatët mbrojtës të Sadamit dhe grupe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kritikuan gjyqin si të manipuluar. //ze//

XS
SM
MD
LG