Lidhje

Presidenti Bush nderon kujtimin e Presidentit Xherald Ford


Presidenti Bush nderoi sot kujtimin e ish-presidentit amerikan Xherald Ford, duke e cilësuar atë një “amerikan të madh” i cili i kaloi vitet më të mira të jetës së tij në shërbim të vendit. Në vazhdim u hedhim një vështrim reagimeve mbi jetën dhe punën e presidentit të 38-të të Shteteve të Bashkuara.

Vdekja e Xherald Fordit është pasuar me reagime të shumta nga njerëz në mbarë Shtetet e Bashkuara, të cilët admironin përkushtimin e tij në shërbim të vendit.

Në fjalën e tij sot drejtuar kombit, Presidenti Bush e kujtoi ish-burrin e shtetit si personi i duhur për të bashkuar kombin pas dorëheqjes së Presidentit Nixon në vitin 1974. "Për një vend që kishte nevojë për shërimin e plagëve politike dhe për Shtëpinë e Bardhë që kishte nevojë për një dorë të qëndrueshme, Xherald Fordi doli në skenë atëherë kur kishim më shumë nevojë për të."

Presidenti theksoi gjithashtu se zoti Ford do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në kujtesën e kombit: "Gjatë qëndrimit në postin e Presidentit, populli amerikan dalloi tek ai një njeri me integritet të plotë, i cili e udhëhoqi vendin me logjikë të shëndoshë dhe zemërgjerësi."

Nënpresidenti Dik Çejni, i cili ka shërbyer si shef i personelit gjatë presidencës së Xherald Fordit, tha se Presidenti Ford i dha vendit fuqi fuqi, mençuri dhe logjikë të shëndoshë gjatë krizës më të rëndë kushtetuese të Shteteve të Bashkuara, që nga Lufta Civile, si dhe riktheu besimin e publikut tek figura e presidentit.

Ish-presidenti Xhimi Karter, i cili mundi Xherald Fordin në zgjedhjet e vitit 1976, e përshkroi rivalin e tij si një burrë shteti të jashtëzakonshëm i cili shpesh i kapërcente ndarjet partjake për të gjetur gjuhën e përbashkët për çështje me rëndësi kritike për Amerikën.

Nensi Regan, e veja e presidentit Ronald Regan, lavdëroi Presidentin Ford për përkushtimin e tij ndaj vendit. //ad//

XS
SM
MD
LG