Lidhje

Figurat e njohura që u ndanë nga jeta në vitin 2006


Gjatë vitit 2006 u ndanë nga jeta një sërë figurash sa interesante aq edhe polemizuese, nga legjenda të Hollivudit e deri te udhëheqës despotikë. Disa prej këtyre figurave ndonëse nuk janë më, nuk do të harrohen sepse lanë gjurmën e tyre në botë.

Coretta Scott King, gruaja e veprimtarit të të drejtave civile Martin Luther King u nda nga jeta më 31 janar. Gjtë viteve 50 dhe 60, zonja King punoi përkrah të shoqit në luftën e tyre për barazi racore. Pas vrasjes me atentat të burrit të saj në vitin 1968, zonja King vazhdojë të luftëjë për ëndrrën e tij të barazisë. Me anë të një fushate, ajo arriti që dita e vrasjes së të shoqit të kthehet në një ditë kombëtare pushimi dhe themeloi Qendrën Përkujtimore Martin Luther King në Atlanta për të çuar përpara trashëgiminë e tij. Zonja King ishte 78 vjeç.

Edhe Betty Friedan ishte aktiviste por për një segment të ndryshëm të popullatës. Në vitin 1963, Friedan inicioi lëvizjen moderne feministe me librin e saj "Mistika Femërore”. Në libër, ajo vinte në pikëpyetje rolin e grave si thjesht shtëpiake në shoqërinë moderne, një rol që sipas saj ishte paralizues për gruan. Friedan u bë gjithashtu një nga themelueset e Organizatës Kombëtare të Grave. Ajo vdiq më 4 shkurt, në përvjetorin e 85-të të lindjes.


Pozita e lartë e Sllobodan Millosheviçit si udhëheqës serb në vitet 80 dhe 90 ishte në kontrast të plotë me fundin poshtërues që pati ai. Millosheviçi vdiq në muajin mars i vetmuar në një qeli të Gjykatës së Hagës gjatë gjykimit për krime kundër njerëzimit.

Gjatë presidencës së tij plot turbullira, shteti komunist jugosllav u shpërbë. Serbët në Bosnje u përpoqën të krijojnë shtetin e tyre duke dëbuar ose vrarë popullatën joserbe, fushatë që më pas mori emrin “spastrim etnik”.

Të njëjtën taktikë ndoqën trupat e Millosheviçit edhe në Kroaci, e më vonë në Kosovë. Deri sa vdiq, Millosheviçi argumentonte se e bëri këtë në përgjigje të sulmeve që ndërmerreshin kundër serbëve.

Millosheviçi vdiq në moshën 64-vjeçare ndërkohë që gjyqi i tij vazhdonte.

Më 21 janar 2006 u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, njeriu i cili iu përkushtua arritjes së pavarësisë me mjete paqësore.

Për shumë vite me radhë, Rugova qendroi në krye të fushatës për paqe dhe demokraci, gjë që e ndihmoi popullin e Kosovës të hidhte bazat për një të ardhme paqësore. Rugova e filloi fushatën e tij për vetvendosje me mjete paqësore mjaft kohë para se shumica e të huajve të dininin qoftë edhe për ekzistencën e Kosovës. Në rolin e presidentit, Dr. Rugova u përpoq të zbuste mosmarrëveshjet mes udhëheqësve politikë shqiptarë të Kosovës. Ai do të mbahet mend si një zë i arësyes dhe i moderimit.

Më 19 mars vdiq në moshën 92 vjeçare Oleg Cassini, i cili u bë i njohur si stilist për njerëzit e famshëm dhe të pasur, sidomos për disa nga aktoret më të njohura të Hollivudit në vitet 40 dhe 50. Ndoshta klientja e tij më e njohur ishte Zonja e Parë, Jackie Kennedy, gruaja e ish presidentit amerikan John F. Kennedy.

Abu Musab al-Zarqawi ishte një udhëheqës dinamik i al-Qaidës në Irak, si dhe një njeri misterioz. I lindur në Jordani, karakteristikë e tij ishte dhuna – shpërthimet, atentatet dhe vrasjet me prerje koke. Taktikat e egra të Zarqawit bënë që pushtimi i shpejtë amerikan i Irakut në vitin 2003 të kthehej në një fushatë të vështirë antiguerilase. Megjithë vdekjen e tij gjatë një sulmi ajror amerikan në fillim të qershorit, trashëgimia e tij vazhdon edhe sot në Irak në formën e shpërthimeve dhe të thellimit të hendekut mes sunive dhe shiitëve. Zarqawi ishte 39 vjeç.

Në fillim të shtatorit vdiq papritur ylli televiziv ndërkombëtar Steve Irwin, vdekje që shkaktoi mjaft tronditje. Steve Irwin bëri emër në botë për guximin e tij me kafshët e rrezikshme sidomos krokodilët. Jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike nga goditja e një peshku, i cili e shpoi drejt e në zemër kur ai po xhironte një dokumentar për Koralet e Mëdha të Australisë.

Në Australi, 10 ditë pas kësaj ngjarjeje, mijra njerëz mbajtën radhën në shi për të blerë bileta për funeralin e tij – dëshmi e popullaritetit të këtij personaliteti. Irwin ishte 44 vjeç.

Në nëntor të këtij viti, vdiq regjisori i njohur amerikan Robert Altman. Në vitet 70, ai krijoi një stil që ishte sa origjinal aq edhe me ndikim në qarqet e kinematografisë. Në filmat e tij si komedia e viteve 70 me temë kundër luftës "MASH," ai përdori trupa të mëdha aktorësh dhe inkurajonte improvizimin si dhe dialogjet e stilit bisedor. Pas kësaj, filmat e tij filluan të mos pëlqehen më nga publiku dhe nga kritika. Por ai u rishfaq përsëri në vitin 1992 me filmin satirik "The Player". Filmi i tij i fundit, "A Prairie Home Companion," filloi të shfaqet në maj të këtij viti. Altman vdiq në moshën 81 vjeçare.

Më 21 nëntor, u vra me atentat në makinën e tij Pierre Gemayel, ministri libanez i industrisë. Gemayel ishte një politikan antisirian dhe pinjoll i njërës prej familjeve më të shquara të krishtera të Libanit. Ai u bë ministër i industrisë në vitin 2005, kur fraksionet antisiriane arritën fitore të rëndësishme në zgjedhje. Vdekja e dhunshme e Gemayelit i rriti tensionet me fraksioneve pro dhe antisiriane të Libanit. Disa analistë thonë se këto tensione mund të çojnë në rrëzimin e qeverisë të zgjedhur në mërë demokratike. Gemayel ishte 34 vjeç.

Në Kili, lajmi i vdekjes së ish diktatorit Augusto Pinochet, u prit me lot nga përkrahësit që e shihnin atë si shpëtimtar të vendit nga marksizmi por edhe me festime nga ata që vuajtën nën regjimin e tij shtypës.

Pas një grushti shteti në vitin 1973, Pinocheti sundoi deri në vitin 1990. Gjatë kësaj kohe, më shumë se 3 mijë njerëz, shumica të majtë, ose u zhdukën ose u vranë për arësye politike.

E kaluara iu rishfaq Pinochetit përsëri në vitin 1998, kur ai u ndalua në Britani me kërkesë të gjykatësve spanjollë, të cilët kërkuan ekstradimin e tij për shkelje të të drejtave të njeriut. Në vitin 2000, Britania e lejoi Pinochetin të kthehej në Kili për arësye shëndetësore.

Por ai nuk doli kurrë para gjyqit pasi një gjykatë kiliane shpalli se ai ishte i paaftë fizikisht dhe mendërisht. Në nëntor, Pinocheti bëri një deklaratë, ku thuhej se ai pranonte “përgjegjësinë politike” për çdo gjë që ndodhi gjatë qeverisjes së tij. Pinoçeti vdiq më 10 dhjetor në moshën 91 vjeçare. //kk//

XS
SM
MD
LG