Sipas njoftimeve nga kryeqyteti i Somalisë, Mogadishu, forcat e milicisë lokale po rimarrin kontrollin e qytetit nga islamistët.
Dy agjenci somaleze lajmesh, thonë se forcat milicore morën sot kontrollin e disa rajoneve të qytetit, pasi luftëtarët islamistë u zhdukën, ose i dorëzuan armët e tyre.
Dëshmitarët thanë se tregtarët kanë filluar gjithashtu shitjen e bimës narkotike khat, që gjykatat islamiste e kanë ndaluar.
Njoftimet vijnë ndërsa forcat besnike të qeverisë së përkohshme të Somalisë, të mbështetura nga trupat etiopiane, përparuan drejt kryeqytetit të vendit.
Sot forcat pro-qeveritare morën kontrollin e qytetit Jowhar dhe u njoftua se ato ndodhen pranë Baladit, vetëm 30 kilometra larg Mogadishut.
Zyrtarët islamistë kanë këmbëngulur se luftëtarët e tyre po bëjnë një lëvizje taktike. Disa të tjerë kanë kërcënuar se do të fillojnë një luftë civile.
Ministri etiopian i Informacionit i tha sot Zërit të Amerikës se trupat etiopiane nuk kanë në plan të hyjnë në Mogadishu.