Lidhje

Kryeministri Çeku, optimist për zgjidhjen e statusit brenda 2007-ës


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, është optimist për zgjidhjen e statusit të Kosovës brenda vitit 2007. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Çeku thotë se më 26 janar, kryenegociatori Marti Ahtisari do të paraqesë propozimin e tij për statusin dhe pas konsultimeve me Prishtinën dhe Beogradin, deri më 20 shkurt, propozimi do t'i paraqitet Grupit të Kontaktit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, viti që po kalon ishte një vit me sfida edhe për qeverinë tuaj. Cila ishte sfida më e madhe me të cilën u përballët?

Agim Çeku: Sfida më e madhe ishte norma e statusit, menaxhimi i pritjeve për status. Për të gjithë me të vërtetë ka qënë ky vit i pritjeve të mëdha, viti i sfidave të mëdha, viti i testeve të mëdha, viti i provave të mëdha e të rëndësishme demokratike. Mendoj se ne të gjithë së bashku i kemi tejkaluar këto sfida me sukses dhe kemi treguar një pjekuri dhe maturi jo vetëm politike por edhe shtetformuese.

Zëri i Amerikës: Sa i vështirë do të jetë funksionimi i qeverisë suaj vitin e ardhshëm. Ka thënie në Kosovë se qeveria mund të rezikohet përsëri vitin e ardhshëm. A do të kemi qeveri deri në fund të statusit?

Agim Çeku: Patjetër që do të kemi qeveri . Kosova kurrë nuk do të jetë pa qeverinë e vet të dalë nga vota e lirë e popullit të Kosovës dhe kjo është më e rëndësishme sesa kush do të jetë në qeveri. Qeveria është vullneti i Parlamentit, vullneti i popullit dhe ne do të bëjmë më të mirën që mund të bëjmë, do të punojmë me përkushtim. Ato janë procedura demokratike, edhe rrëzimi i qeverisë është akt demokratik dhe ne do ta pranojmë atë pa asnjë problem, por do të përpiqemi të punojmë me përkushtim jo për të mbetur në qeveri, por për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Cilat janë hapat konkrete dhe afatet kohore që prisni ju lidhur me statusin në vitin 2007?

Agim Çeku: Konkretisht ne presim që menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, që besojmë se do të jenë me 26 janar, zoti Ahtisari do t’ja prezantojë Grupit të Kontaktit përmbajtjen e paketës së tij dhe 2-3 ditë më vonë do të vijë në Prishtinë ku së bashku do të shikojmë (desha të them figurativisht) faqe për faqe këtë paketë. Ai do ta lerë tek ne paketën. Ne do të na kërkohet, do të jemi të detyruar të japim komentet tona, sugjerimet tona, mospajtimet tona në ndonjë propozim të tijin. Ai do të përmbledhë vërejtjet, sugjerimet, komentet e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces dhe do të hartojë raportin përfundimtar me sugjerime, të cilat do t'ja paraqesë Grupit të Kontaktit diku nga fundi i shkurti. Deri më 20 shkurt ai do ta përmbyllë raportin e tij dhe do të shkojë para Këshillit të Sigurimit, ku do të raportojë për ecurinë e procesit dhe do t’i rekomandojë Këshilli të Sigurimit çfarë vendimi duhet marrë. Ky raport dhe këto rekomandime do të jenë bazë për një rezolutë të re, e cila do të negociohet nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe kjo do të marrë disa kohë. //rd//

XS
SM
MD
LG