Lidhje

Xhon Eduards deklaron zyrtarisht kandidaturën për president


Ish-senatori demokrat amerikan John Edwards njoftoi zyrtarisht se do të hyjë në garën presidenciale të vitit 2008. Edwards njoftoi kandidaturën e tij sot në një lagje të Nju Orleansin që u shkatërrua nga uragani Katrina në gusht të vitit 2005. Ai tha se ajo zonë shërbente si simbol i fushatës së tij që përqendrohet tek nevoja për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë ekonomike në Amerikë.

Zoti Edwards u bëri thirrje amerikanëve të veprojnë në se duan ta ndryshojnë vendin për më mirë. Ai i cilësoi gjithashtu strategjitë amerikane për Irakun si të gabuara dhe i bëri thirrje presidentit Bush të marrë përgjegjësinë për veprimet atje. Zoti Edwards tha se Shtetet e Bashkuara duhet të largohen nga Iraku dhe t’ua kthejnë përgjegjësinë e sigurimit forcave irakiane.

Ish-senatori i Karolinës së Veriut, u bashkohet dy kandidatëve të tjerë që kanë njoftuar tashmë pjesëmarrjen e tyre në garë. Dy prej kandidatëve po tërheqin tashmë vëmendje të konsiderueshme.

Njoftimi i zotit Edwards ishte paraprire nga paraqitja e tij në bazë, si veprimtaria për grumbullim fondesh në Dakotën e Veriut, një veprimtari për nënshkrim librash në Gjeorgji dhe vizita të përsëritura në Iowa. Në këtë shtet në mes të Amerikës zhvillohen tradicionalisht zgjedhjet e para për kandidat presidencial brenda partisë, të cilat i japin tonin fushatës.

Guvernatori i shtetit Iowa, Tom Vilsack, njoftoi muajin e kaluar kandidaturën e tij për president. Bashkë më John Edwards dhe Tom Vilsack, është edhe ligjvënësi nga Ohio, Dennis Kucinich, i cili zhvilloi fushatë për kandidat presidencial në vitin 2004. Ai thotë se dëshëron t’i grumbullojë amerikanët rreth një çështjeje që duket se do të ketë rëndësi të konsiderueshme në garën e 2008-ës.“Rreth ceshtjes për t’i dhënë fund thellimit të tragjedisë në Irak, dhe asaj te përmirësimit të reputacionit të Amerikës në botë”.

Iraku është çështje e rëndësishme për demokratët që janë kundër luftës, të cilët mund të ndikonin në zgjedhjen e kandidatit të partisë së tyre për president.

Analistët thonë se kjo do të dëmtonte shanset e senatores së New Yorkut, Hillary Clinton, e cila nuk e ka patur të lehtë të mbrojë votën e saj pro luftës në senat. Megjithatë, zonja Clinton nxit entuziazëm si kandidate me shanse reale që të bëhet presidentja e parë e Amerikës.

Senatorja Clinton u pyet kohët e fundit në një program mjaft të shikuar televiziv në lidhje me sondazhet që e rendisin atë para disa kandidatëve të ardhshëm republikanë me rëndësi. “Është tepër herë të flitet. Siç duket shumë njerëz po mendojnë rreth kësaj, ashtu si edhe unë, duke u përpjekur për t’i dhënë përgjigje”. Edhe senatori nga Illinos, Barak Obama, po pritet mirë nga publiku. Ai u zgjodh në senat vetëm para dy vjetësh.

Senatori Obama, elokuenca e të cilit ka tërhequr vëmendjen e mbarë amerikanëve, nëse zgjidhet, do të ishte presidenti i parë afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Ai u pyet mbi popullaritetin e tij në televizionin e NBC. "Mendoj se tani përbëj një alternativë për amerikanët që janë të interesuar në një lloj tjetër politike. Dhe në një farë mase, ndoshta, unë përfaqësoj diçka të tillë”.

Analistët thonë se aftësia e senatorëve Obama dhe Clinton për grumbullim fondesh mund të detyrojë shpejt kandidatët e tjerë të tërhiqen nga gara, siç ndodhi me senatorin Evan Bayh. Por senatori nga Delaware Joe Biden është gati të hyjë në garë. Kryetari i komisionit të ardhshëm të senatit për marrëdhëniet me jashtë, thotë se do të ngrejë në janar një mekanizëm të përshtatshëm financimi për fushatën e tij presidenciale.

Një pikëpyetje e madhe përbën për demokratët ish-nënpresidenti Al Gore, kandidat presidencial në vitin 2000. Ndërsa zoti Gore thotë se as që e imagjinon të kandidojë, ai nuk e përjashtuar këtë mundësi. Ai fitoi votën popullore në zgjedhjet e vitit 2000, por humbi pas numërimit të diskutueshëm të votave, për të cilin Gjykata Supreme tha se i jepte fitoren Presidentit Bush. //rd//

XS
SM
MD
LG