Lidhje

Bush: ekzekutimi i Sadamit, arritje e rëndësishme për Irakun


Presidenti Bush e cilësoi ekzekutimin e ish-diktatorit irakian Sadam Husein, si një arritje të rëndësishme për Irakun në rrugën e tij drejt një demokracie që mund të vetëqeveriset e të vetëmbrohet.

Zoti Bush tha se vdekja e Sadamit shënon fundin e një viti të vështirë për popullin irakian, por paralajmëroi se kjo nuk do ta ndalë dhunën në Irak. Presidenti e bëri deklaratën nga ferma e tij në Kroford të Teksasit, pak pas njoftimit për vdekjen e Sadam Huseinit.

Britania tha se Sadami u ekzekutua për disa nga krimet e tij kundër popullit irakian.

Reagimi i botës në përgjithësi për ekzekutimin e ish-diktatorit irakian, Saddam Hussein, shkon nga ngazëllimi në denoncim dhe zemërim. Sot në Bagdat, Kryeministri Nouri al-Maliki tha se vdekja e Saddamit mbyll një kapitull të errët në historinë e Irakut. Ai tha se politika e diskriminimit dhe përjashtimit që pllakosi Irakun për 35 vjet, mori fund.

Ndërkohë, grupe të të drejtave të njeriut dhe vende që janë kundër dënimit kapital, e dënuan ekzekutimin e Saddamit. Organizata Human Rights Watch në Shtetet e Bashkuara e quajti gjyqin e Saddamit me të meta të mëdha dhe tha se varja është mizore e çnjerëzore, me gjithë shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga ish-diktatori. Ndërkohë, protesta kundër ekzekutimit të Saddamit shpërthyen në disa vende të botë, përfshirë Irakun, Pakistanin dhe Indinë.

Një nga avokatët e Sadamit, Kërtis Deber, i tha rrjetit televiziv CNN, se udhëheqësi irakian nuk u gjykua me drejtësi. Edhe organizata me qendër në Nju Jork, Human Rights Watch, tha se gjyqi pati difekte të mëdha dhe dënoi ekzekutimin çnjerëzor të Sadam Hiseinit, megjithë shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut nga ana e tij.

Ndërkohë rrjeti televiziv amerikan CNN, tregoi pamje nga arabo-amerikanë që festuan dhe valvitën flamuj irakianë në Dirborn të shtetit Miçigan. Disa prej tyre kishin humbur anëtarë të familjes gjatë sundimit brutal të Sadam Huseinit. //az//

XS
SM
MD
LG