Lidhje

Uashington: Funeral shtetëror për nder të ish presidentit Xherald Ford


Trupi i ish-presidentit amerikan Gerald Ford ndodhet në sallën qendrore të Kapitolit në Uashington ku për nder të tij është organizuar një funeral shtetëror.

Ish shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së tij, nënpresidenti i tanishëm Dik Çejni, e vlerësoi lart zotin Ford duke e quajtur atë një njeri të thjeshtë që e udhëhoqi vendin në një periudhë të turbullt të historisë. Ai i bëri komentet mbrëmë në sallën rrethore të Kapitolit. Zoti Çejni tha se presidenti Ford ishte një personalitet që simbolizonte qetësinë dhe qendrueshmërinë dhe që e ndihmoi vendin të rimëkëmbet pas Luftës së Vjetnamit dhe Skandalit të Uotergejtit.

Para kësaj, nën të shtënat e topave në shenjë nderimi, një grup ushtarakësh e solli arkivolin me trupin e zotit Ford në ndërtesën e Kongresit, ku do të qendrojë deri të martën në mëngjes – e cila është shpallur ditë zie kombëtare.

Mijëra vetë pritet të kalojnë sot dhe nesër pranë arkivolit të mbuluar me flamurin amerikan, për t’i bërë nderimet e fundit zotit Ford. Të martën, trupi do të dërgohet në Katredalen Kombëtare të Washingtonit për një shërbim përkujtimor.

Të mërkurën ai do të varroset në qytetin e tij të lindjes, Grand Rapids në shtetin e Miçiganit. Zoti Ford vdiq të martën në Dezert Palm të Kalifornisë në moshën 93-vjeçare. //ii

XS
SM
MD
LG