Lidhje

Rumania, Bullgaria festojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian


Ish vendet komuniste Rumania dhe Bullgaria hyjnë zyrtarisht në Bashkimin Evropian përmes paralajmërimeve nga udhëheqësit e bllokut se duhet të vazhdojnë reforma të vështira. Turma të gëzuara njerëzish që u mblodhën në Sofie sot dëgjuan bandën ushtarake të luante hymnin kombëtare ndërsa zyrtarë të Bashkimit Evropian ngritën flamujtë e të dyja vendeve. Pranimi i sotëm e rrit numrin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në 27.

Fishekzarret zbardhën qiellin në mesnatë në Rumani dhe Bullgari ndërsa dy ish vendet e bllokut të Lindjes morën statusin e tyre të ri si anëtare të Bashkimit Evropian. Në kryeqytetin bullgar, Sofje, qindra balona me nënshkrimin Mirësevjen Evropë u lëshuan në qiell. Presidenti bullgar Georgi Purvanov tha në një fjalim të tij në Sofje se 1 janari ishte dita më e rëndësishme në historinë e këtij vendi. Kurse në kryeqytetin Bukuresht të Rumanisë presidenti Traian Basescu i tha turmës së gëzuar të njerëzve që kishte mbushur sheshin e universitetit se Rumania më në fund mbërriti në Evropë.

Rruga drej anëtarësimit nuk ishte e lehtë, pasi reformat e forta ekonomike sollën gjithashtu tensione sociale. Dhe të dyja vendet kanë ende punë për të bërë. Pagat mesatare mujore janë të ulta krahasuar me ato në Evropën perendimore. Disa vende të Bashkimit Evropian kanë venë kufizime për numrin e punëtorëve rumunë dhe bullgarë nga frika e një fluksi të madh imigrantësh.

Gjithashtu të dyja vendet do të vazhdojnë të vëzhgohen nga afër nga Brukseli për krime dhe korrupsion. Megjithë këto shqetësime presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian Jose Manuel Barroso tha se hyrja e Rumanisë dhe Bullgarisë do të shtojë pasurinë kulturore dhe ekonomike të bashkimit. "Me Bullgarinë dhe Rumaninë, do të kemi edhe 30 milion banorë duke krijuar kështu një bashkim gati prej 500 milionë qytetarësh. Bashkimi Evropian është tani partneri më i madh tregtar në botë që krijon shumë mundësira për njerëzit dhe bizneset. “Të bashkuar në diversitet” është motoja e Bashkimit Evropian të zgjeruar. Duke mirëpritur dy anëtaret e reja në familjen tonë, kultura dhe trashëgimia jonë do të pasurohet", tha zoti Barroso.

Por pritet që të duhen vite për këto vende të hyjnë në klubin ekskluziv të vendeve që përdorin monedhën e euros. Nga 10 vendet që hynë në Bashkimin Evropian në vitin 2004 vetëm Sllovenia ka arritur stabilitetin ekonomik të nevojshëm për klubin e euros. Sllovenia festoi përdorimin e euros me një festë të bujshme të Vitit të Ri. //rd//

XS
SM
MD
LG