Lidhje

Bullgaria mbyll 2 centrale bërthamore pas anëtarësimit në BE


Dy reaktorë të uzinës së vetme bërthamore në Bullgari u mbyllën në orët e fundit të së djelës para se vendi të hynte zyrtarisht në Bashkimin Evropian. Bullgaria është një nga eksportueset më të mëdha të energjisë në Ballkan dhe vendimi i marrë sipas standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian duket se do të ketë pasoja për qëndrueshmërinë e sistemit energjitik në rajon ku ndër vendet importuese është edhe Shqipëria.

Mbyllja e dy reaktorëve të prodhimit rus me 440 megavat energji ishte pjesë e marrëveshjes për pranimin e Bullgarisë në Bashkimin Evropian. Brukseli kërkoi mbylljen e reaktorëve 25 vjeçarë duke cituar shqetësime të sigurimit. Drejtori i Kompanisë së Energjisë Bërthamore, Chrixtozov Mito, thotë se rajoni i Ballkanit do të jetë më i prekuri nga ky vendim. "I gjithë rajoni do të vuajë. Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e deri në Greqi. Të gjitha këto vende furnizohet nga kjo uzinë bërthamore. Eksporti i energjisë do të ulet dramatikisht. Padyshim që Bullgaria do të vuajë por e gjithë kjo është bërë sipas standarteve të Bashkimit Evropian."

Uzina Kozlodui do të vazhdojë të funksionojë me dy centrale 1,000 megavatëshe gjithashtu të tipit rus. Dy centralet më të vegjël ishin planifikuar të mbylleshin gradualisht të djelën në mbrëmje. "Nga ora 7 filluam të mbyllnim reaktorin tre dhe katër. Për momentin çdo gjë po shkon mirë sipas planifikimit. Reaktorët tre dhe katër po pakësojnë gradualisht prodhimin e energjisë," thotë drejtori Mito.

Brenda pak muajsh, karburanti bërthamor do të hiqet nga reaktorët dhe do të ruhet në uzinë. I gjithë procesi i mbylljes së dy reaktorëve dhe pastrimi i zonës do të marrë dekada dhe do t’i kushtojë Bullgarisë të paktën 650 milion dollarë.

Humbjet që do të pësojë ky vend ballkanik nga mbyllja e dy centraleve mund të arrijnë në 1 presje 95 miliardë dollarë, sipas ekspertëve, për shkak të rënies së vëllimit të eksportit energjetik për të plotësuar nevojat e brendëshme.

Për mbylljen e reaktorëve, të cilët kishin liçencë për të operuar deri në vitin 2013, Bullgaria do të marrë 290 milion dollarë kompensim nga Bashkimi Evropian deri në vitin 2009.

XS
SM
MD
LG