Lidhje

Bush: Do të dëshëroja që ekzekutimi i Sadamit të ishte më dinjitoz


Në rreth dy orë bisedime përmes një lidhjeje video-interneti, Presidenti Bush dhe kryeministri irakian Maliki diskutuan mbi ekzekutimin, gjatë të cilit disa persona të pranishëm u tallën me Sadamin në dhomën e varjes dhe filmuan vdekjen e tij me një kamera telefoni celular.

Zyrtarë irakianë thonë se po marrin në pyetje të paktën dy roje të dyshuara se janë përfshirë në përqeshjen dhe regjistrimin e Saddamit.

Presidenti Bush thotë se do të dëshëronte që procedurat të kishin qenë më dinjitoze, por shton se Sadami i gjykua në një gjyq të drejtë, diçka të cilën, thotë ai, ish-udhëheqësi irakian ua kishte mohuar kundërshtarëve të tij. “Në presim të zhvillohet një hetimi plotë për çfarë ndodhi. Populli irakian dëshëron të ecë para. Ai do ta harrojë atë pjesë të tmerrshme të së kaluarës së tyre dhe do të jetojë në paqe. Është në interes të Amrikës t’i ndihmojë irakianët të arrijnë një gjë të tillë”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, tha më parë se Presidenti Bush i tha Kryeministrit al-Maliki se e mbështet hetimin për të gjetur se kush është përgjegjës për talljen e ish-diktatorit momentet e fundit të jetës së tij dhe regjistrimin e ekzekutimit me një kamera telefoni celular. “Presidenti tha se është pikërisht ajo që duhet bërë për të hetuar regjistrimin dhe sjelljen e disa personave të pranishëm gjatë ekzekutimit të Saddam Husseinit. Dhe kryeministri e pranoi dhe tha se partitë politike ishin zemëruar jashtë mase ndaj regjistrimit dhe publikimit të tij dhe se po shqyrtojnë mundësinë e ndëshkimit të përgjegjësve”.

Disa besnikë të Saddamit kanë demosntruar kundër varjes dhe mënyrës se si qeveria e zbatoi dënimin me vdekje. Por zëdhënësi Snou tha se zyrtarë amerikanë dhe irakianë thonë se nuk ka patur ndonjë rritje të dhunës si rezultat i ekzekutimit.

Ai tha se të dy udhëheqësit diskutuan për opsionet për të cilat zoti Bush thotë se përbëjnë një rrugë të re përpara në Irak, por zëdhënësi shton se presidenti nuk ka marrë ende ndonjë vendim përfundimtar. “Presidenti nuk foli në hollësi për ndonjë rrugë të re, pasi ky ishte një tjetër bashkëbisedim këshillimor, dhe të dy udhëheqësit folën gjatë në lidhje me më të rëndësishmen: si të fitohet lufta në Irak”.

Zoti Snou thotë se të dy ata e përkufizojnë fitoren njësoj: vendosja e një qeverie irkaiane të qendrueshme, funskionale dhe që mund të mbrojë veten.

Presidenti dhe Kryeministri al-Maliki biseduan për një paketë ndryshimesh ekonomike, ushtarake dhe politike për Irakun të cilat pritet t’i njoftojë në një fjalim drejtuar mbarë vendit përmes televizionit javën e ardhshme.

Presidenti Bush u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se gjatë bashkëbisedimit me udhëheqësin irakian, ai donte të kuptonte nëse ky i fundit është i gatshëm punojë pa rezerva për të mbrojtur popullin e tij.

“Unë i thashë zotit Maliki se nëse tregon vullnet, Amerika do të ndihmojë. Unë jam në procesin e marrjes së vendimeve përfundimtare për të zgjedhur cilat rekomandime të pranoj. Një gjë është sigurtë: unë dua të sigurohem se misioni është i qartë, i posaçëm dhe mund të përmbushet”.

Presidenti thotë se rruga e re për Irakun po merr formë teksa ai po i afrohet rishikimit të strategjisë së deritanishme pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e nëntorit për në kongres.

Shumica e votave të amerikanëve u motivuan nga kundërshtimi ndaj luftës, për të cilën sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e amerikanëve thonë se ishte e gabuar.

Zoti Bush i bëri komentet e tij mbi Irakun pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ndërkohë që Gjermania nuk është e përfshirë ushtarakisht në Irak, kancelarja duke folur përmes përkthyeses, tha se i mbështet pa diskutim përpjekjet për forcimin e qeverisë irakiane. “Ne kemi çdo interes që gjendja në Irak të marrë kthesë drejt një zhvillimi më paqësor, ku populli të mos ketë më nevojë të jetojë në frikë për jetën e vet dhe në rrafshin politik ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur një zhvillim të tillë pozitiv”.

Ndërsa afrohet koha që Presidenti Bush të njoftojë kursin e ri për Irakun, ai do të takohet sot me udhëheqës republikanë e demokratë në senat për të diskutuar mbi këto plane. //az//
XS
SM
MD
LG