Lidhje

Nafta e Irakut, prodhimi shumë më i ulët sesa mundësitë e vendit


Kurdët, sunitë dhe shiitët e Irakut po grinden lidhur me shpërndarjen e të ardhurave të naftës së vendit. Ndërkohë që zyrtarët e energjisë përpiqen për rindërtimin e industrisë së dëmtuar, sabotatorët i vazhdojnë sulmet ndaj tubacioneve të naftës dhe objekteve të tjera.

Kryengritësit shpeshherë kryejnë sulme ndaj tubacioneve të naftës në Irak dhe objekteve të tjera të rëndësishme të naftës, duke u vënë atyre zjarr. Dëmet po i pengojnë përpjekjet për rindërtimin e industrisë së naftës së Irakut, që është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë së vendit. Iraku aktualisht prodhon rreth dy milionë e gjysëm fuçi nafte në ditë, shumë më pak se sa mundësitë që ka.

Ministri i naftës i Irakut, Hussain al-Sharistani do që ta ndryshojë këtë gjendje. "Plani ynë është që ta shtojmë prodhimin e naftës bruto gjatë 5 vjetëve të fundit, 4 deri në 4 milonë e gjysëm fuçi në ditë". Al-Shahristani thotë se shpreson të arrijë së shpejti marrëveshje me shumë kompani të huaja nafte dhe të përdorë teknologjine e tyre të përparuar për ta ndihmuar Irakun të arrijë një potencial të madh prodhimi.

Por ish-ministri i naftës i Irakut, Issam Al-Chalabi, thotë se gjendja e rrezikshme e sigurisë i ka mbajtur shumicën e kompanive të mëdha te huaja, me përjashtim te disa të voglave, jashtë vendit. "Nuk ka mundësi që ndonjë kompani nafte e vendit, apo e huaj, apo kushdo me mend, do të dojë të shkojë në Irak për të investuar para dhe për të zhvilluar këto lloje shërbimesh". Al-Chalabi thotë se kompanitë kryesore të naftës, si EksonMobil, ose Shell janë shkurajuar nga pasiguritë lidhur me ligjet e propozuara të Irakut që drejtojnë industrine e vendit.

Gjendja politike është e ndërlikuar nga shpërndarja jo e barabartë e naftës së Irakut. Pjesa më e madhe e rezervave të naftës ndodhet në jug të vendit, të banuar kryesisht nga shiitët. Disa udhëheqës shiitë po bëjnë thirrje për autonomi në rajonin e tyre. Një tjetër pjesë e rezervave te naftës ndodhet në veri të vendit, ku jetojnë kurdët. Ky rajon gëzon autonomi të konsiderueshme nga qeveria qendrore. Në pjesen qendrore te vendit mendohet se ndodhet shumica e rezervave te naftës dhe atje jetojnë arabët suni, të cilët e drejtuan vendin nën sundimin e Sadam Huseinit. Secili nga fraksionet irakiane po përpiqet për miratimin e ligjeve që mundësojnë perdorimin prej tyre të burimeve kryesore.

Sipas Kushtetutës së re të Irakut, nafta u përket të gjithë irakianëve, por fraksionet rivale e interpretojnë dokumentin në mënyra të ndryshme. Kurdët i kanë nënshkruar tashmë marrëveshjet me kompani të vogla nafte, në kërkim të rezervave të reja.

Por Ministri irakian i Naftës al-Shaharistani thotë se kontrata të tilla duhen nënshkruar, ose miratuar nga qeveria qendrore. Kjo e detyroi Kryeministrin e rajonit kurd, në veri të Irakut, Nechirvan Barzani, të kercënojë per shkëputjen e rajonit te tij nga vendi. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleeza Rice, gjate nje vizite ne Irak, u përpoq t’i sheshonte grindjet nëpermjet Presidentit të Kurdistanit, Masud Barzani.

Udhëheqësi kurd nuk e përsëriti retorikën e ashpër të kolegut të tij në publik. Ndërkohë, ligjvenesit rajonale kurdë kane punuar për një ligj të ri të naftës, ndërsa qeveria qendrore ka punuar për një ligj të ri, të ashtuajtur, “Ligji i hidrokarbureve”.

Nuk është e qartë në se këto ligje të ndryshme nga njeri tjetri do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes qeverisë qendrore dhe asaj rajonale të Kurdistanit, apo t’i lehtësojë përplasjet për naftën mes sunive dhe shiitëve në jug të vendit. Por studimi i rëndësishëm i specialistëve te Grupit Studimor për Irakun bën thirrje për një ligj për naftën i cili do të garantonte shpërndarje të drejtë të të ardhurave, di[çka tepër e rëndësishme për ripajtimin vendit. Ekspertët thonë se sqarimi i statusit ligjor të kompanive të huaja te naftës do ta lehtësojë punën e Irakut për terheqjen e ekspertëve të huaj dhe të teknologjisë së nevojshme për rindërtimin e industrisë së naftës. Iraku ka hapur disa objekte të reja, si kjo rafineri në Naxhaf me nje ceremoni mes masash të forta sigurie.

Në se mosmarrëveshjet politike zgjidhen dhe gjendja e sigurisë përmirësohet, shumë ekspertë thonë se Iraku mund të prodhojë rreth 6 milionë fuçi nafte bruto në ditë. Ish-ministri i naftës Al-Chalabi thotë se çmimet e larta aktuale të naftës do të benin qe Iraku të kishte një industri te fuqishme nafte, me 100 miliardë dollarë të ardhura në vit, të mjaftueshme për rindërtimin me lehtesi të sektorit të naftës dhe për financimin e rindërtimit të pjesës më të madhe të vendit te mbushur me probleme. //rd//

XS
SM
MD
LG