Lidhje

Bekam do të luajë për skuadrën amerikane "Galaxy"


Lajmi për shitjen e David Bekamit në Shtetet e Bashkuara, ishte në faqet e para në të gjithë Spanjën, pasi lojtari më i njohur i futbollit, një ikonë e botës së modës dhe gjigand i reklamave deklaroi se do të luajë me skuadrën e futbollit "Galaxy", të Los Angelosit.

Bekam nuk pranoi ta shtyjë kontratën me "Realin" e Madrit edhe për dy vjet, ku gjatë sezonit të kaluar ka qëndruar më shumë në stolin e rezervave. Klubi "Galaxy" nuk tha saktësisht se sa do ta paguajë atë, por përmendi një shifër prej 250 milionësh në formë page dhe reklamash për 5 vjet. Kjo do të thotë që shitja ka një vlerë prej 1 milion dollarësh në javë. Bekam shkoi si zakonisht për stërvitje në stadiumin e Real Madridit. Sipas disa banorëve të Madridit, Bekam po lëviz në kohën e duhur:

Bekam dhe gruaja e tij kanë shërbyer për reklamimin e imazhit të Madridit.

“Mendoj se është diçka e mirë për të, ai do të ketë mundësinë të luajë në mënyrë të mrekullueshme për herë të parë që prej dy vjetësh dhe jam i sigurt që ai do të ketë sukses të madh”,- tha një tifoz.

Sezoni i Ligës amerikane të futbollit fillon në prill, por Bekam nuk pritet të fillojë të luajë me ekipin para gushtit, kur i skadon kontrata me Realin e Madridit. Gruaja e tij, ish-këngëtarja e grupit "Spice Girls", ka shprehur dëshirën për të filluar një karrierë në Hollivud.

David hapi vitin e kaluar një akademi futbolli pranë stadiumit të "Galaxy", ndërsa e shoqja është parë duke kërkuar shtëpi atje. Shtetet e Bashkuara janë tregu i fundit dhe më i madhi ku statusi prej ikone i Beckhamit nuk është ende i njohur. Në bulevardin e famshëm "Rodeo Drive" në Beverli Hills, kishte nga ata që nuk e njihnin fare futbollistin, por të tjerë ishin shumë entuziastë.

Bekam do ta rrisë emrin e një skuadre mesatare të një lige futbolli që është relativisht e panjohur jashtë vendit. Efekti i transferimit të Bekamit u ndje menjëherë. "Galaxy" shiti dje 1 mijë bileta për sezonin e ri.

Që tani po bëhen përgatitje për një turne të skuadrës "Galaxy" në vitin 2008, në Azi, ku Bekam është shumë i njohur. Presidenti i klubit, Aleksi Lalas, është shumë entuziast.

“Besoj se ai do të jetë i mrekullueshëm në fushë për skuadrën dhe po ashtu do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm edhe jashtë fushës për sportin në Shtetet e Bashkuara”-, thotë ai.

Vetë Bekam, i cili për tre sezone me "Realin" e Madridin nuk ka fituar ndonjë titull, thotë se ishte koha e duhur për një ndryshim.//lk

XS
SM
MD
LG