Lidhje

Presidenti i Kosovës në Bruksel për takime në BE dhe NATO


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shkoi sot për në Bruksel ku nesër pritet të fillojë një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropan dhe të NATO-s.

Në një njoftim të zyrës së komisionerit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Javier Solana, thuhet se takimi do të ofrojë një mundësi që të bisedohet për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe planet e Bashkimit Evropian për shtimin e angazhimeve të tij pas zgjidhjes së statusit. Presidenti Sejdiu pritet të takohet edhe me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian Oli Rehn dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Schefer.

Prania e trupave të NATO-s sipas zyrtarëve të Aleancës do të vazhdojë për një kohë të gjatë edhe pas statusit, ndërsa numri I ushtarëve dhe mandati I forcave paqeruajtëse do të mbetet i pandryshuar të paktën deri në fund të këtij viti.

Takimet e zotit Sejdiu ndodhin pak ditë para se kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari të paraqesë propozimin e tij për statusin politik të Kosovës, propozim ky që pritet të hidhet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi që mbahen më 21 janar. Aktualisht janë shtuar debatet rreth mundësisë që një raund i ri bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të pasojë shpalljen e propozimit. Një zëdhënës i zyrës së zotit Ahtisaari tha se ende nuk është e qartë nëse do të ketë një mundësi të tillë dhe kjo do të bëhet e ditur pasi të jetë bërë propozimi.

Beogradi ka kërkuar edhe ashtu vazhdimin e bisedimeve, ndërsa Prishtina pohon se janë shterur të gjitha mundësitë për trajtimin e çështjeve teknike që janë diskutuar në një seri takimesh që janë zhvilluar gjatë vitit të kaluar në Vjenë të Austrisë. Megjithatë mundësia për takime të reja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është përjashtuar posaçërisht nëse për një gjë të tillë ka kërkesë nga Washingtoni.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, madje ka paralajmëruar mundësinë që të organizohet një siç është thënë, “mini Rambouillet”, ku të dyja palët do të debatonin për disa ditë një marrëveshje për statusin e Kosovës.

Sidoqoftë, java që po vjen do të hedhë më shumë dritë në këtë çështje, rreth së cilës është paralajmëruar një qëndrim më i prerë i ekipit të negociuesve të Kosovës. //kk//

XS
SM
MD
LG