Lidhje

Udhëheqësit demokratë sfidojnë politikën e Presidentit Bush për Irakun


Në prag të fjalimit të Presidentit Bush javën e ardhshme mbi gjendjen e vendit, demokratët po sfidojnë politikat e tij mbi Irakun, ndërkohë që po shpallin fitore në frontin e brendshëm pas dy javësh pune të legjislaturës së re të kongresit.

Udhëheqësit e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan, Nancy Pelosi dhe Harry Reid, bënë dje komente në Klubin Kombëtar të Shtypit lidhur me përmbajtjen e fjalimit që ata presin nga Presidenti Bush.

Ligjvënësja Pelosi tha se suksesi i demokratëve në parashtrimin me sukses të gjashtë çështjeve themelore të programit të tyre në politikën e brendshme përmes Dhomës së Përfaqësuesve është mbajtje e premtimit të bërë para amerikanëve në zgjedhjet e nëntorit.

“Përmbushëm atë që u premtuam amerikanëve për 100 orët e para të punës së legjislaturës së re: të jepnin shenjën për ndryshime, të trajtonim probleme të rëndësishme për jetën e tyre të përditshme dhe ta realizonim këtë në një bashkëpunim me republikanët”.

Republikanët do ta vinin në diskutim pretendimin e zonjës Pelosi për bashkëpunim dhe vazhduan të ankohen se demokratët kanë anashkaluar rregulla e duhuara për të parashtruar projektligje në Dhomën e Përfaqësuesve. Patrick Henry është republikan i kësaj dhome.

“Demokratët premtuan qeverisje të hapur, të ndershme dhe me etikë e më pas e mbyllën debatin mbi nisma të rëndësishme legjislative për të cilat shqetësohen amerikanët, si sigurimi kombëtar, energjia, arsimi, kujdesi shëndetësor dhe rritja e pagave”.

Në komentet e saja dje, zonja Pelosi u përqendrua në çështje të brendshme, duke u shprehur ndër të tjera se amerikanët duhet të pranojnë realitetin e ngrohjes globale dhe të punojnë për pavarësi në sektorin e energjisë e novacioneve teknologjike, ndërkohë që forcojnë sigurimin kombëtar.

Senatori Reid përsëriti vlerësime të mëparshme se nuk mund t’i japësh fund konfliktit duke dërguar 21 mijë trupa të tjera amerikane në Irak pa masa aktive nga qeveria vendase në drejtim të pajtimit politik.

Duke i bërë jehonë thirrjes së demokratëve për fillimin e një tërheqjeje me faza të trupave amerikane brenda 4 deri në 6 muajve, ai kritikoi gjithashtu qendrimin e presidentit kundër bisedimeve me Iranin dhe Sirinë në lidhje me gjendjen në Irak.

“Irani dhe Siria kanë luajtur një rol destabilizues në Irak, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të komunikojmë me këto vende në kuadër të një kornize rajonale”.

Por ai që ngjalli reagim të fortë nga Shtëpia e Bardhë, ishte një koment i bërë dje më herët nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi në lidhje me strategjinë e Presidentit Bush mbi Irakun.

Në një intervistë për televizionin ABC, ajo tha se presidenti është i vetëdijshëm se, për shkak se trupat janë të rrezikuara, kongresi nuk mund të vendosë përprerjen e burimeve, duke shtuar se pikërisht për këtë po vepron me shpejtësi për t’i vënë trupa të tjerë në rrezik. Ky koment u prit me këtë përgjigjen nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino:

“Ky koment është plot helm dhe sigurisht jo në frymën e ruajtjes së bashkëpunimit dypartiak dhe të qytetarisë për të cilin demokratët u zotuan, për atë frymë që ne republikanët po presim me padurim”.

Komentet Senatorit Reid dhe Ligjvënëses Pelosi u bënë ndërkohë që demokratët vazhdojnë të parashtrojnë projekt-ligje që kanë në shenjestër shtimin e numrit të trupave në Irak.

Një grup demokratësh konservatorë të Dhomës së Përfaqësuesve njoftoi për një rezolutë që synon të trajtojë debatet në lidhje me shpenzimin pa fryte të fondeve nga kompanitë e kontraktuara në Irak. Ja si e shpjegon këtë rezolutë ligjëvënësi Mike Ross.

“Gjatë katër viteve të fundit administrata e tanishme e ka shlyer koston e luftës përmes një politike fiskale të papërgjegjshme. Është dashur me kohë që kongresi të mbikqyrë këtë aspekt dhe të bëhet kujdestar i përgjegjshëm i parave të taksapaguesve që derdhin djersë, si dhe ta vënë këtë administratë para përgjegjësisë për shpenzimet në Irak”.

Ndër të tjera, ligjëvënësit propozojnë krijimin e një komisioni të posaçëm për të hetuar se si u janë dhënë kontratat kompanive si Halliburton, e cila drejtohej dikur nga nënpresidenti i tanishëm, Dick Cheney.

Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve, përfshirë atë të Mbikqyrjes dhe për Reformën në Qeveri, komision që drejtohet nga ligjvënësi Henry Waxman, do të ndërmarrin seanca me pyetje-përgjigje javët e ardhshme mbi çështjen e kontraktimeve në Irak.

XS
SM
MD
LG