Lidhje

Mungesa e mjekëve tërheq studentë të huaj në universitetet amerikane


Studimet e kohëve të fundit tregojnë se sistemi shëndetsor në Shtetet e Beshkuara do të ketë mungesë mjekësh dhe punonjësish të tjerë të shëndetsisë. Kjo ka bërë që të shtohen përpjekjet për të tërhequr mjekë dhe studentë të huaj në universitetet dhe në klinikat amerikane. Disa ekspertë thonë gjithashtu se universitetet amerikane e vlerësojnë larminë që sjellin studentët e huaj.

Sipas ekspertëve, disa shtete amerikane do të kenë mungesa mjekësh në disa degë, si kardiologjia, radiologjia, kirurgjia dhe pediatria. Doktoresha Suzan Ufsthal, drejtoreshë në programin e stazhit, pranë Universitetit të Merilandit, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për të gjitha llojet e mjekëve. “Në disa pjesë të vendit numri i mjekëve është i mjaftueshëm dhe është e lehtë për njerëzit të kenë shërbimin e duhur mjekësor, por në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara raporti është një mjek për mijëra njerëz.”

Kjo mungesë ushtron presion tek shkollat amerikane të mjekësisë, për të rritur numrin e studentëve dhe tek qeveria për të lejuar një numër më të madh mjekësh të hyjnë në vend. Ligjvënësi amerikan, Rob Sajmon, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për këta mjekë të huaj. “Ka njerëz që vijnë në Shtetet e Bashkuara për të punuar në fushën e mjekësisë dhe ne kemi nevojë për sa më shumë ndihmë.”

Profesorë si zonja Ufsthal, thonë se studentët e huaj mund të fitojnë përvojë dhe njohuri të vlefshme nëse studiojnë në Shtetet e Bashkuara dhe punojnë në spitalet e vendit. “Merr të njëjtat njohuri dhe ke të njëjtat mundësi për të parë nëse ke interes dhe në të njëjtën kohë tregon aftësitë në praktikë.”

Sonia Jusef praktikante në reumatologji, në Universitetin e Merilandit, thotë se studentët e huaj duhet të përpiqen të kenë një farë përvoje para se të vijnë në Shtetet e Bashkuara. "Duhet të përpiqesh të punosh ca kohë pa pagesë. Kjo të ndihmon, sepse të pasuron CV-në por nuk është aq e rëndësishme sa përvoja në klinikë.”

Zonja Ufsthal thotë se universitetet vlerësojnë larminë që sjellin studentët e huaj. “Pjesëmarrja e studentëve të huaj sjell në program një këndvështrim tjetër, në varësi edhe të interesave të ndryshme.” Ekspertët dhe profesorët thonë se studentët e huaj përfitojnë shumë nga koha që kalojnë në Shtetet e Bashkuara. Ata thonë se studimi në universitetet dhe puna në spitalet e Sheteteve të Bashkuara u japin atyre mundësinë të njihen me teknologjinë moderne dhe të rritin nivelin profesional. //rd//

XS
SM
MD
LG