Lidhje

Ish-këshilltari i lartë i nënpresidentit amerikan del te hënën në gjyq


Zoti Libby akuzohet se ka keqinformuar gjykatën dhe autoritetet e FBI-së lidhur me hetimet mbi zbulimin e identitetit të një ish agjenteje të CIA-Jo shumë kohë më parë, Lewis Libby ishte një nga njerëzit më me ndikim në Washington. Ai këshillonte presidentin Bush dhe ka shërbyer si shefi personeli i nënpresidentit Dick Cheney.

Por prokurorët thonë se zoti Libby gënjeu dhe keqinformoi hetuesit rreth bisedave me gazetarët mbi Valerie Plame, ish agjente e CIA-s, identiteti i së cilës u zbulua në një artikull redaksional të një gazete në Washington.

Valeri Plame është bashkëshortja e ish ambasadorit Joseph Wilson. Ky i fundit ka akuzuar administratën e presidentit Bush për shtrembërim të informacioneve të zbulimit në Irak për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake në vitin 2003.

Prokurori special Patrick Fitzgerald thotë se Libby ishte pjesë e përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për t’u hakmarrë kundër ish ambasadorit Wilson duke nxjerrë emrin e gruas së tij.

Zoti Libby i mohon akuzat dhe thotë se nuk e mban mend se kush e nxorri fillimisht lidhjen e Valerie Plame me CIA-n.

Jonathan Turley është profesor i drejtësisë në Universitetin George Washington. Ai thotë:

“Qeverisë do t’i duhet të provojë se Libby e dinte se po nxirrte fakte kritike kur foli para jurisë dhe me hetuesit. Argumenti i Libbyt është i thjeshtë Ai harroi, nuk e ka kujtesën të fortë. Gjykimi kthehet si një provë besimi”.

Midis atyre që pritet të dëshmojnë në gjyq janë disa gazetarë të shquar në Washington që kanë përdorur Libbin dhe zyrtarët të tjerë qeveritar regullisht si burim informacion.

Përveç kësaj, nënpresidenti Cheney pritet të dëshmojë në mbrojtje të Libbyt, duke u bërë rasti i parë që një nënpresident dëshmon në një gjykim kriminal. Zoti Cheney e lavdëroi zotin Libby në një intervistë të fundit televizive.

“Është një nga njerëzit më të ndershëm që kam njohur”, thotë nënpresidenti.

Profesori i drejtësisë Jonathan Turley thotë se gjykimi i zotit Libby do të shërbejë gjithashtu si një kujtesë për mënyrën sesi Shtetet e Bashkuara shkuan në luftë në Irak. Ai thotë:

“Në fund të fundit gjykimi nuk ka të bëjë thjesht me faktin se kush e nxorri informacionin. Pika kulmore është ajo që bëri Libby në përgjigje të skandalit. Gjykimi do tu kujtojë njerëzve mënyrën se si u paraqitën argumentet për luftën në Irak. Ajo do t’u kujtojë njerëzve se ato që iu thanë fillimisht nuk ishin të vërteta”.

Ish zyrtari i lartë i departamentit të shtetit Richard Armitage ka pranuar se ishte burimi parësor i nxjerrjes së identitetit të zonjës Plame por deri tani prokurori Fitzgerald nuk ka ngritur akuza të tjera në lidhje me nxjerrjen e emrit të agjentes për gazetarët. Gjykimi i zotit Libby pritet të zgjasë disa javë./al/

XS
SM
MD
LG