Lidhje

Sërvër: Për Kosovën nevojitet angazhimi i Amerikës në nivelet më të larta


Një analist i njohur i çështjeve ballkanike thotë se procesi për statusin e Kosovës nuk duhet të vazhdojë gjatë dhe se amerikanët e disa prej vendeve evropiane duhet ta bëjnë të qartë se janë gati të veprojnë në mënyrë të njëanshme nëse Këshilli i Sigurimit nuk vepron. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti Daniel Sërvër, nën-president i Institutit Amerikan të Paqes, thotë se kosovarët duhet të përqëndrohen tek objektivi i tyre, që është sovraniteti dhe rruga më e shpejtë drejt sovranitetit është krijimi i një Kosove paqësore, që e trajton si duhet popullatën serbe.

Zëri i Amerikës: Zoti Sërvër, si e shikoni ju rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Serbi?

Daniel Sërvër: Në zgjedhjet e së dielës nuk pati ndonjë gjë të re, zoti Tadiç korri një fitore relativisht pozitive, megjithë faktin që partia radikale pati më shumë sukses, duke qënë përsëri partia më e madhe në parlament. Aspekti interesant është se megjithë që kryeministri Vojisllav Koshtunica fitoi më pak vota se dy partitë e tjera, Partia Demokratike nuk do të jenë në gjendje të formojë qeverinë pa mbështetjen e kryeministrit Koshtunica, dhe si rezultat ky i fundit vazhdon të jetë lojtari kryesor në politikën serbe dhe mendoj se zoti Koshtunica do të vazhdojë të jetë kryeministër i Serbisë.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, ka pasur komente nga të dyja anët e Atlantikut, këtu në Amerikë dhe në Bashkimin Evropian, për një raund tjetër bisedimesh për statusin përfundimtar të Kosovës. Para referendumit të tetorit në Serbi, paraqitja e propozimit të zotit Ahtisari, u shty deri pas zgjedhjeve, por nuk u fol për bisedimeve të reja. Ç’duhet pritur tani pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Daniel Sërvër: Zoti Ahtisari do t’u paraqesë propozimin e tij si Prishtinës edhe Beogradit dhe mendoj se këtë do ta shohim së shpejti. Do të ketë diskutime mes dy palëve në përpjekje për të ngushtuar mosmarrëveshjet. Ato do të përpiqen të arrijnë një farë marrëveshje mbi propozimin e zotit Ahtisari dhe do të dështojnë. Në një monent të tillë, duhet të presim të shikojmë në se Këshilli i Sigurimit është gati të marrë një vendim. Mendoj se amerikanët dhe disa prej vendeve evropiane duhet ta bëjnë të qartë se janë gati të veprojnë në mënyrë të njëanshme nëse Këshilli i Sigurimit nuk vepron. Nuk jam i sigurtë ende nëse amerikanët janë të gatshëm për një hap të tillë.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se Këshilli i Sigurimit është gati të veprojë, duke pasur parasysh këtu kundërshtimin e Rusisë.

Daniel Sërvër: Nuk mendoj se Këshilli i Sigurimit është gati të veprojë menjëherë, por nga ana tjetër as nuk mendoj që kundërshtimi i Rusisë do të vazhdojë përgjithmonë. Rusët po përpiqen të sigurojnë lëshime nga amerikanët. Megjithëse ende nuk kam parë ndonjë shenjë të tillë, do të vijë koha kur amerikanët do t’i bëjnë lëshime Rusisë për të eliminuar mundësinë e vetos së saj.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se procesi për statusin e Kosovës e ka humbur vrulli e vitit të kaluar, e them këtë duke pasur parasysh faktin, që në 2006 u fol shumë për zgjidhjen e statusit para fundit të vitit.

Daniel Sërvër: Nuk mendoj se ky proces ka humbur vrullin, por Beogradi po përpiqet të shkaktojë sa më shumë vonesa dhe pasiguri dhe ia ka arritur qëllimit. Duhet pritur që gjatë muajve shkurt e mars të zhvillohen disa këshillime, por në se kjo gjendje vazhdon matanë 1 prillit, pala shqiptare me siguri që do të mendojë se është mashtruar dhe do të mbetet e zhgënjyer dhe si rezultat gjërat mund të marrin një drejtim negativ. Këto do të jenë muaj të vështirë, delikatë e plot pasiguri e vonesa dhe me rëndësi është që kosovarët të përqëndrohen tek objektivi i tyre, që është sovraniteti dhe rruga më e shpejtë drejt sovranitetit është krijimi i një Kosove paqësore, që e trajton si duhet popullatën serbe.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se Beogradi po përpiqet të krijojë vonesa dhe pasiguri. Ç’mund të fitojë me këtë qëndrim Beogradi.

Daniel Sërvër: Unë gjithnjë përdor fjalën sovranitet në vend të fjalës pavarësi pasi Kosova është e pavarur sepse vetëqeveriset në 85 përqind të veprimtarive të saj. Çështja është në se forcat serbe të sigurimit mund të rihyjnë ligjërisht në territorin e Kosovës dhe kjo është çështje sovraniteti dhe jo pavarësie. Nuk është e qartë se cilat janë synimet e Beogradit kur shkakton vonesa e pasiguri. Ndarja do të ishte një zgjidhje gjysëm e mirë për Beogradin dhe kjo mund të arrihej në se në Kosovë do të kishte akte dhune dhe sërbët do të përziheshin nga rajoni në jug të lumit Ibër. Natyrisht që një gjë e tillë do të ishte në favor të Beogradit.

Zëri i Amerikës: Kurdoherë që flasim për angazhimin e Shteteve të Bashkuara në botë, gjithnjë bëhet pyetja në se Uashingtoni është sa duhet i angazhuar në një pjesë të botës apo në një tjetër, për vetë faktin e angazhimit të madh në Irak dhe në luftën kundër terrorit. A janë Shtetet e Bashkuara të angazhuara sa duhet në procesin e statusit të Kosovës.

Daniel Sërvër: Mendoj se shqyrtimi i çështjesh së Kosovës duhet të kalojë në një nivel më të lartë në qeverinë amerikane. Niveli në të cilin kjo çështje është shqyrtuar gjatë muajve të fundit nga zyrtarë të tillë si nën-sekretari i shtetit Nicholas Burns, i dërguari amerikan Frank Wisner, dhe herë herë nga sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs, nuk do të sjellë një zgjidhje të çështjesh së Kosovës, e cila do të kërkojë vemendjen e presidentit amerikan. Çështjes së Kosovës i ka munguar vemendja e presidentit Bush gjatë dy vjetëve të fundit. Mendoj se po të arrijmë në pikën që të bëhen lëshime me Moskën për të eliminuar kundërshtimin e saj ndaj statusit të ardhshëm të Kosovës, kjo do të arrihet në nivelet më të larta të qeverisë amerikane. //ze//

XS
SM
MD
LG