Lidhje

Hidhen hapat për transplantimin e parë të mitrës në SHBA


Një spital në New York është duke hedhur hapat e parë për të kryer transplantin e parë të mitrës në Shtetet e Bashkuara. Mjekët në Arabinë Saudite e provuan transplantin disa vjet më parë, por u detyruan që t’a rihiqnin mitrën e transplantuar tre muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale, si pasojë e trompozave në gjak. Tani një mjek në New York thotë se është koha që të provohet përsëri për këtë lloj transplanti.

Në Spitalin e Downtown në New York, mjekët janë duke u pregatitur për të kryer për herë të parë transplantimin e një mitre. Proçedura mund të jetë e tillë:

Kirurgët transplantojnë mitrën e dhuruar, nëpërmjet një prerjeje nën kërthizë. Më pas një embrion i ngrirë vendoset në vendin përkatës në mitër. Gruaja mund të lindë me anë të operacionit cezarian. Mbas lindjes, mitra e dhuruar do të hiqet nga trupi i gruas, që ajo të mos ketë më nevojë që të marrë ilaçet që ndihmojnë organizmin të bashkëjetojë me organin e transplantuar.

Por sado e përparuar, proçedura ka ngritur shqetësime etike dhe mjeksore. Dr. Sheriman Silbert është specialist për fertilitetin.

“Në se organizmi e lufton mitrën e transplantuar në një moment të caktuar gjatë shtazanisë, kjo do të krijonte një problem mjekësor tepër serioz”.

Në një rast të tillë do të vihej në rrezik si jeta e nënës edhe e fëmijës.

Mjekët e spitalit Downtown në New York, thonë se në fillim transplantimi i mitrës do të provohet tek majmunët, dhe tre muaj më vonë do të bëhet përpjekja e parë për transpalantim tek një grua. Dr. Giuseppe Del Priore është duke intervistuar kandidatet e mundshme:

“Ne kemi shpenzuar 10 vjet dhe mijëra e mijëra orë përpjekje për t’a kryer sa më e sigurt që të jete e mundur transplantin. Dhe personi që do të jetë kandidatja e parë duhet të jetë shumë e qartë për rrezikun e mundshëm.”

Rreziqet, kanë ngritur disa shqetësime etike. Disa njerëz mendojnë se arsyeja e vërtetë për një transplant është të shpëtojë jetë njerëzish dhe jo të rrezikojë jetën e dikujt. Lori Andrews është profesore e bioetikës në Çikago.

“Ne e kryejmë transplantin e veshkave vetëm për njerëzit të cilët janë në rrezik të vdesin pa të: ne nuk rrezikojmë jetë njerëzish”

Por transplantimet po ashtu synojnë edhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Në Francë dhe Kinë janë bërë transplantime të fytyrës. Transplantimet e dorës po ashtu po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Për gratë të cilat nuk mund të lindin si pasojë e kancerit, apo sëmundjeve të tjera, transplanti i mitrës u jep shpresë se një ditë mund të kenë mundësinë të rrisin një fëmijë që lind nga trupi i tyre.

“Mundësia për të mbajtur në krahë fëmijën tim, do të ishte një dhuratë e paimagjinueshme”, thotë Xhudi Brunstein, një e mbijetuar nga kanceri. //kk//

XS
SM
MD
LG