Lidhje

Maqedoni: BDI-ja braktis përfundimisht parlamentin


Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni mori sot pasdite përfundimisht vendimin që ta braktisë Parlamentin. Këshilli qendror i partisë diskutoi për më tepër se katër orë duke konfirmuar më në fund vendimin e kryesisë qendrore të BDI-së për të bojkotuar punimet e Parlamentit. BDI-ja vlerëson se nuk ekziston një dialog i sinqertë dhe i mirëfilltë politik, se institucionet po e shkatërrojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe se tani vendi është para një krize politike.

Partia më e madhe opozitare shqiptare (BDI) është e irrituar për shkak të mospërfilljes së vetos në Parlament në të cilën kanë të drejtë deputetët e komuniteteve joshumicë, në raste të caktuara.

Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, disa ligje të caktuara, që prekin interesat e komuniteteve joshumicë, duhet të votohen edhe nga shumica e deputetëve jomaqedonas. Mirëpo, kohët e fundit, në disa raste Komisioni për Marrëdhënie ndëretnike ka vendosur që ligjet të votohen pa parimin e Badenterit që në fakt është vetoja e shumicës së deputetëve jomaqedonas.

Këshilli i përgjithshëm i BDI-së e mori vendimin në orët e vona të pasdites. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti shpjegon:

“Këshilli i përgjithshëm i BDI-së vendosi të pezullojë punët në të gjitha institucionet e larta të vendit. Nuk jemi të gatshëm që edhe më tutje të pranojmë që nga këto institucione të bëhet majorizimi ndaj shqiptarëve”.
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit të vendit Lubisha Georgievski i ka dërguar më herët një letër zotit Ahmeti me anë të së cilës i sugjeronte që partia e tij të mos braktiste Parlamentin. Zoti Ahmeti e ka shikuar me kujdes këtë letër.
“Mirëpo nuk ka diçka që na shtyn të përcaktohemi se me të vërtetë ka diçka me sinqeritet në atë letër”.
Ambasadorja amerikane Gillian Millovanovic këto ditë po ashtu ka komentuar se BDI-ja dhe PPD-ja duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda institucioneve se për këtë kanë marrë votat e elektoratit. Por, kreu i BDI-së thotë se pas gjashtë muajsh në Parlament aty pati vetëm ngecje të proceseve.
“Është një deklaratë shumë parimore; ne provuam në institucione për gjashtë muaj me radhë; i kemi vënë në dijeni të gjitha qendrat ndërkombëtare të vendosjes. Ato e njohin mirë situatën dhe vendimi ynë bëhet në sajë të vullnetit të elektoratit të Bashkimit Demoratik për Integrim”
BDI-ja, siç paralajmëroi kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti, do të mbledhë prefektët nga radhët e saj të komunave në Maqedoninë veriperëndimore për të shikuar mënyrat e veprimit të mëtejshëm. //kk//
XS
SM
MD
LG