Lidhje

SHBA rikonfirmojnë mbështetjen ndaj përpjekjeve të zotit Ahtisari


Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan mbështetjen e tyre ndaj përpjekjeve të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit u bëri thirrje palëve që të ulen dhe të dëgjojnë propozimet e Ahtisarit, të cilat ai do t’ua paraqesë sot udhëheqësve të Beogradit dhe Prishtinës.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, paraqet sot propozimin e tij të shumëpritur për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, që mund të përfshijë edhe pavarësinë.

Zoti Ahtisari do t’ia paraqesë planin e tij veçazi udhëheqësve shqiptarë në Kosovë dhe Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç në Beograd. Kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica, që po largohet nga posti refuzon të takohet me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara. Ai i ka bërë thirrje zotit Ahtisari që ta shtyjë vizitën e tij deri në krijimin e qeverisë së re serbe, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të zhvilluara muajin e kaluar.

Propozimi i zotit Ahtisati pritet gjerësisht t’i japë Kosovës një status shumë pranë pavarësisë, duke garantuar ndërkohë sigurinë e pakicës serbe.

Zoti Koshtunica ka kërcënuar gjithashtu të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me të gjitha vendet që njohin pavarësinë e Kosovës.

Ambasada amerikane në Beograd tha dje se ishte tepër e zhgënjyer me këtë qendrim të zotit Koshtunica dhe shtoi se do të dëshironte të vazhdonte dialogun e saj me popullin e Serbisë.

XS
SM
MD
LG