Lidhje

Shqiperi: analistët dhe qytetarët vlerësojnë etikën e fushatës zgjedhore


Fushata për zgjedhjet vendore po zhvillohet e qetë në Tiranë, ndërsa kandidatët e partive kryesore Edi Rama dhe Sokol Olldashi, të shoqëruar nga 10 kandidatët e tjerë të minibashkive të kryeqytetit po organizojnë një seri takimesh me zgjedhësit, duke shpjeguar platformat, planet dhe premtimet e tyre. Ata po përpiqen ndërkaq që të godasin kundërshtarin në pikat më të dobta lidhur me premtimet e bëra, duke përgënjeshtruar si të pabesueshme premtimet e njëri-tjetrit, madje si rrallë ndonjëherë po përdorin në këtë fushatë edhe antireklama negative për njëri-tjetrin.

Kandidatët Rama dhe Olldashi po zhvillojnë një sërë takimesh të vogla dhe të mëdha në shumë lagje të kryeqytetit, i pari duke kërkuar një mandat të tretë për të drejtuar bashkinë e Tiranës dhe i dyti me kërkesën për të ndërtuar një Tiranë si kryeqytet jo vetëm në bulevardin e saj. Fushata është pritur mirë nga qytetarët dhe vëzhguesit e politikës përsa i takon etikës dhe estetikës që po ndjekin të dy kandidatët, në komunikimin me qytetarët dhe në publikimin e posterave. Ata pothuajse nuk po e prekin fare njëri-tjetrin me sharje dhe akuza, ndonëse përpiqen të përgënjeshtrojnë tezat e njëri tjetrit.

Në një nga tubimet e fundit të tij Edi Rama hodhi poshtë kritikat e demokratëve sipas të cilave ai nuk kishte punuar si duhet për shkollat, duke treguar një seri rikonstruksionesh të tyre. Ndërsa Sokol Olldashi në një nga veprimtaritë e fundit me autobuzat e unazës së Tiranës u përpoq të tregonte se rrugët dhe transporti urban në qytet janë plot vështirësi dhe nuk shkojnë aq mirë sa ci reklamon zoti Rama. Fasadat e pallateve, autobuzët dhe stacionet e autobuzëve, pemët në parqe dhe stacionet radio-televizive janë aktualisht të gjitha të mbushura me reklamat të fushatës dhe me posterat e kandidatëve./al/

XS
SM
MD
LG