Lidhje

Senatorë amerikanë debatojnë pro dhe kundër planit të Presidentit Bush për shtimin e trupave amerikane në Irak


Përkrahësit e planit të Presidentit Bush për dërgimin e trupave shtesë në Irak përfshijnë Senatorin republikan, Lindsey Graham, i cili tha në programin televiziv Fox News Sunday se dërgimi i më shumë trupave amerikane do të ndihmonte së tepërmi:

"Ky shtim trupash mbart me vete një element ushtarak. 17500 trupa shtesë në Baghdad do të dyfishonin aftësinë luftuese të forcave amerikane për të ruajtur sigurinë. Unë kam besim se kjo do të japë rezultat”.

Pikpamja e tij gjeti jehonë tek Senatori tjetër republikan, John McCain, i cili tha se Shtetet e Bashkuara kanë paguar tashmë një çmim të lartë për atë që ai e përshkroi si politikë të dështuar, që nuk mban dështime të mëtejshme. Ai bëri një krahasim me luftën në Bosnje-Hercegovinë, ku rreth 200 mijë njerëz u vranë dhe rreth dy milionë të tjerë u zhvendosën. Forcat serbe ekzekutuan më shumë se tetë mijë burra dhe djem në qytetin e Srebrenicës, që konsiderohet mizoria më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ne do të shikonin një gjakderdhje të tillë në Bagdad, saqë Srebrenica do të dukej jo aq e rëndë. Besoj se me kalimin e kohës do të na duhej të ktheheshim përsëri në Irak, për shkak të angazhimit iranian, të sunive, të Turqisë, në qoftë se kurdët do të përpiqeshin të krijonin shtetin e tyre të pavarur. Gjendja do të ishte aq kaotike, saqë nuk është në interesin tonë kombëtar që ta lejonim të ndodhë”.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe studjuesit llogarisin se disa dhjetra mijëra civilë irakianë që nga fillimi i luftës në Irak në vitin 2003.

Senatori McCain i bëri këto komente në programin “This Week” të kanalit televiziv ABC. Në të njejtin program, Senatori tjetër republikan, Chuck Hagel, u shpreh kundër shtimit të trupave amerikane në Irak, duke thënë se nuk është detyra e tyre që ato të bëhen arbitra të një lufte më të gjerë sektare.

“Ne duhet të bëjmë ato gjëra për të cilat jemi të aftë. Ne nuk mund të ndryshojmë rezultatet e zhvillimeve në Irak, duke i hedhur trupat amerikane në mesin e një lufte civile”.

Në vend të që dërgojmë më shumë trupa, tha ai, një propozimet e rezolutës është që trupat amerikane që gjenden në terren të largohen nga qytetet, ku dhuna sektare është intensifikuar dhe të vendosen në zonat kufitare për të ndihmuar në ruajtjen e integritetit teritorial të Irakut.

Senatorja demokrate, Dianne Feinstein, tha në programin e kanalit televiziv, CNN, "Late Edition", se nuk beson që shtimi i pranisë ushtarake amerikane në Irak përbën zgjidhjen e problemit.

“Ta konsiderosh ushtrinë amerikane si të vetmen zgjidhje të situatës në Irak është një gabim i madh. Për mendimin tim energjitë duhen përqendruar në veprimtarinë diplomatike, që ne në fakt nuk e kemi praktikuar publikisht në atë zonë. Mendoj se ne duhet të ulemi në bisedime me Iranin dhe Sirinë, me vendet me popullatë suni. E vetmja mënyrë zgjidhjeje është politikisht”.

Ajo tha se në qoftë se Senati miraton një rezolutë pa fuqi zbatuese kundër planit të Presidentit Bush për shtimin e trupave, ajo nuk do ta ndalojë atë të vërë në jetë planin e tij. Por Senatorja Feinstein shtoi se megjithatë, ajo do të tregojë se shumica në Senat kundërshton rrugën në të cilën presidenti e ka futur vendin.

XS
SM
MD
LG