Lidhje

Ambasadorja Ris: Anëtarësimi në NATO kërkon bashkëpunimin e institucioneve


Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një proces që kërkon reforma ushtarake, si dhe bashkëveprim të institucioneve shtetërore mbi platforma të përcaktuara qartë. Kështu u shpreh sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Marsi Ris, gjatë një konference ku u diskutua rruga e Shqipërisë drejt NATO-s. Ajo tha se një nga elementet që e dallojnë Shqipërinë është mbështetja entuziaste e popullit dhe e politikanëve për anëtarësimin në NATO.

"Shqipëria - tha ambasadorja Ris - ka treguar përkushtim ndaj idealeve të NATO-s në shumë mënyra; veç të tjerash duke cuar edhe forcat e saj ushtarake në misione të rrezikshme si në Afganistan, si pjesë e koalicionit në Irak dhe misionet paqeruajtëse në Bosnje Hercegovinë. Ushtria shqiptare është e angazhuar në një reformë madhore për të përgatitur vendin për të hyrë në NATO".

Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe mbrojtja kombëtare kërkojnë shumë më tepër se sa thjesht mbështetje popullore dhe reforma në fushën e ushtrisë.

"Këto –tha ambasadorja Ris - kërkojnë një përqasje gjithëqeverisëse ndaj mbrojtjes, e cila është e mbështetur në bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet ministrive të ndryshme, bazuar në përgjegjësitë dhe aftësitë unike të secilës".

Ambasadorja amerikane theksoi në fjalën e saj se një bashkëpunim i ngushtë me përgjegjësi të përcaktuara mirë brenda agjencive shtetërore, i lejon anëtarëve të natos që të përgjigjen shpejt dhe në mënyrë të përpiktë në cdo situatë krize, duke funksionuar mirë edhe në kohë paqe gjithashtu.

"Një mbrojtje kombëtare efektive - tha amb. Ris - bazuar mbi bashkëpunimin civil dhe ushtarak, si dhe një përkufizim të qartë të detyrave dhe përgjegjësive të agjencive të ndryshme është një kusht i domosdoshëm për anëtarësim në NATO". //kk//

XS
SM
MD
LG