Lidhje

Presidenti Bush i dorëzon Kongresit buxhetin për vitin 2008


Presidenti Bush i dorëzoi sot Kongresit buxhetin për vitin 2008. Presidenti Bush tha se plani i tij i shpenzimeve parashikon fondet e nevojshme për luftën kundër terrorizmit dhe në të njejtën kohë, krijon kushtet e duhura, që deficiti i tanishëm buxhetor të eliminohet brenda 5 vjetësh.

Presidenti Bush tha se buxheti i tij prej 2 trilion e 900 miliardë dollarësh për vitin 2008, është një propozim realist për të arritur synimet e tij buxhetore.

"Sot ne po i dorëzojmë Kongresit projekt-buxhetin që parashikon eliminimin e deficitit buxhetor brenda 5 vjetësh, pa ngritur taksat.”

Presidenti tha se megjithë rritjen e kostos së luftës në Irak, deficiti buxhetor mund të eliminohet, në se ekonomia vazhdon të rritet dhe në se Kongresi ushtron përgjegjësi fiskale.

“Ekonomia jonë është e fortë për shkak të politikave të shëndosha, për shkak të shpirtit të lartë krijues, dhe ndjekjes së politikës së taksave të ulta, që ka çuar në shtimin e të ardhurave për thesarin e shtetit.”

Presidenti i bëri këto komente në përfundim të një takimi me kabinetin e tij, gjatë të cilit u diskuta buxheti dhe kostoja e lartë e operacioneve ushtarake në Irak.

Projekt-buxheti i vitit 2008, përfshin për herë të parë vlerësimin afat-gjatë të shpenzimeve të luftës. Presidenti i kërkoi Kongresit të miratojë një fond prej 145 miliardë dollarësh për Irakun, për vitin 2008, duke i njoftuar ligjvenësit në të njejtën kohë, se do të kërkojë edhe 100 miliardë dollarë të tjerë shtesë, për vitin 2007.

“Përparësia kryesore është mbrojtja e popullit amerikan. Dhe detyra jonë kryesore është t’u japim trupave gjithë mjetet e duhura për të realizuar detyrën e tyre.”

Komentet e presidentit u bënë në të njejtën kohë që ligjvenësve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat iu dorëzua kopja e projekt-buxhetit, që shënon fillimin e procesit legjislativ të miratimit të buxhetit që pritet të zgjasë për muaj të tërë.

Kjo është hera e parë që Presidenti Bush ia paraqet projekt-buxhetin një kongresi të kontrolluar nga demokratët dhe ligjvenësit kanë thënë se do t’i shqyrtojnë me imtësi gjithë propozimet e presidentit.

Përmes një deklarate me shkrim, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, Ike Skelton e quajti kërkesën për buxhetin e Pentagonit, “një shifër marramendëse”, duke shtuar se Kongresi duhet t’i analizojë me imtësi hollësitë e projekt-buxhetit për t’u siguruar që mos të ketë shpërdorime me paret e taksapaguesve. //kk//

XS
SM
MD
LG