Lidhje

Lehtësimi i vizave për në BE brenda 2007-ës


Deri në fund të vitit 2007, Bashkimi Evropian do të lehtësojë sistemin e vizave për një numër vendesh të Ballkanit. Ky është një lajm i mirëpritur nga qytetarët e këtyre vendeve për shumicën e të cilëve marrja e një vize do të thotë pritje të gjata, një burokraci e rënduar dhe shpenzime. As këtë vështirësi nuk japin garanci për marrjen e vizës.

Nga ky sistem do të përfitojnë studentët, shkencëtarët, biznesmenët dhe të tjerë që kanë të afërm në Bashkimin Evropian. Po ashtu pjesë e tij është edhe lehtësimi i procesit për marrjen e vizave për në vendet e BE-së.

Ky ndryshim rregullash konsiderohet një hap i parë drejt heqjes krejtësisht të vizave për qytetarët e Bosnjës, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Boshnjakët që rrinin në radhë për viza para ambasadës gjermane në Sarajevë e konsiderojnë regjimin aktual të vizave shumë të shtrenjtë dhe burokratik.

“Unë kam të afërm në Itali, Gjermani, Austri. Do të kisha dëshirë të shkoja më shpesh atje por është e pamundur. Duhet të kesh para në kursime, miliona dokumenta dhe viza është e shtrenjtë. Është shumë e vështirë”, thotë një banor i Mostarit.

Liberalizimi i plotë i vizave për gjithkënd ndoshta nuk do të realizohet deri kur vendet e Ballkanit të jenë shumë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por liberalizimi për disa grupe dhe lehtësimi i vizave për të gjithë me një proces më të thjeshtë dhe të përshpejtuar do të shërbente për t’iu dëshmuar qeverive dhe qytetarëve të këtyre vendeve se reformat shpërblehen.

Megjithëse emigracioni është një çështje shumë delikate në gjithë Bashkimin Evropian, zyrtarët kanë besim se lehtësimi i rregullave të vizave nuk do të rrisë numrin e punëtorëve të paligjshëm që hyjnë në vendet e organizatës.

“Nuk besoj se ka ndonjë lidhje direkte mes regjimit të vizave dhe imigracionit të paligjshëm. Ekziston problemi i emigrantëve të paligjshëm që vijnë në vendet tona dhe rrinë pa leje, por nuk mendoj se lehtësimi i vizave, ose më vonë edhe liberalizimi i mundshëm i vizave do ta bënin problemin më serioz”, thotë Dimitris Kourkoulas, kreu i Komisionit Evropian në Bosnje.

Pavarësisht nga ideja se emigrimi në një vend të Bashkimit Evropian do të siguronte një nivel më të lartë jetese disa prej emigrantëve që e kanë bërë një gjë të tillë thonë se për shumë njerëz shpresa për një jetë të re është e rreme.

“Nuk besoj se do të jetë i madh numri i njerëzve që do të vijnë. Ndoshta vijnë vetëm ata që kanë para. Në Gjermani është krizë për vende pune”, thotë Dragan Katanic një serb që u vendos në Berlin para 20 vjetësh dhe ka ngritur një restorant atje.

Komuniteti i emigrantëve nga Ballkani në Bashkimin Evropian konsiderohet si i dyti më i madhi pas atij turk.//kk//

XS
SM
MD
LG