Lidhje

Irak: Al Maliki urdhëron përshpejtimin e masave të sigurisë


Kryeministri irakian Nuri al-Maliki u ka dhënë urdhër komandantëve të ushtrisë irakiane që të përshpejtojnë përgatitjet për masat e sigurisë në Bagdat të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Në një fjalim që mbajti sot para komandantëve, kryeministri Maliki pranoi shtyrjen e planit dhe i bëri thirrje ushtrisë që të përfundojë sa më parë përgatitjet. Plani i ri i sigurisë bën thirrje që 90 mijë trupa irakiane dhe amerikane të patrullojnë lagjet e Bagdatit, ku nga një sërë sulmesh gjatë ditëve të fundit janë vrarë qindra njerëz.

Qeveria e Iranit tha sot se Shtetet e Bashkuara mbajnë përgjegjësi për sigurinë e një diplomati iranian, që u kap të dielën në mbrëmje në distriktin Karradah të Bagdadit, nga persona rë armatosur, të veshur me uniforma të ushtrisë irakiane.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se rrëmbyesit kishin lidhje me Ministrinë irakiane të Mbrojtjes, që është nën mbikqyrjen e forcave amerikane. Zëdhënësi i ushtrisë amerikane mohoi përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në kapjen e diplomatit iranian.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts tha sot se Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë tërheqjen e trupave nga Iraku në fund të këtij viti nëse plotësohen disa faktorë politikë dhe të sigurisë. Al Pessin i Zërit të Amerikës na dërgoi këtë korrespondencë nga Pentagoni.

Sekretari Gejts i deklaroi një komisioni të Senatit se është e vështirë të parashikohet se kur mund të fillojë tërheqja. Por ai tha se nëse ushtria irakiane plotëson angazhimet e saj në planin e sigurimit për Bagdatin dhe nëse qeveria arrin përparim në drejtim të ripajtimit kombëtar, tërheqja mund të fillojë këtë vit. "Do të dëshiroja që ne të mund të fillonim tërheqjen e trupave nga fundi i këtij viti. Nëse na duhet të zgjedhim alternativa dhe strategji të tjera, atëhere kjo do të varej nga fakti se cilat mund të jenë këto strategji." Sekretari Gejts tha se po studion se cilat mund të jenë këto strategji alternativë nëse plani i paraqitur nga Presidenti në muajin janar nuk jep rezultat. Ai tha se përpjekjet e tanishme nuk janë shansi i fundit për mposhtjen e kryengritësve në Irak.

Megjithatë, tha ai, deri tani plani po shkon mirë. Senatori demokrat Bill Nelson i kërkoi zotit Gejts të shpjegonte se sa të afta janë forcat irakiane, të cilat duhet të luajnë një rol parësor në këtë operacion. "Po përpiqem të mësoj nëse këto forca janë të afta apo jo,” pyeti senatori Nelson. "Senator, u përgjigj sekretari i mbrojtjes, kjo është një pyetje që ne po e bëjmë të gjithë. Por siç e thamë edhe këtu, kjo është diçka që ne do të shohim se si do të funksionojë në terren." Në senat dëshmoi edhe zyrtari më i lartë ushtark amerikan, gjenerali Pitër Pejs.

Seanca e senatit zhvillohet vetëm një ditë pasi senatorët republikanë bllokuan debatin rreth një rezolute e cila shprehte kundështim ndaj planit të Presidentit Bush për të dërguar 21 mijë trupa të tjera në Irak.

Zyrtarët e Pentagonit shkuan në Senat për të shpjeguar kërkesën për 623 miliard dollarë shpenzime ushtarake që parashikojnë për vitin tjetër plus 93 miliard të tjera për këtë vit, me të cilat do të financohet lufta në Irak dhe në Afganistan. //rd//

XS
SM
MD
LG