Lidhje

Një grup gazetarësh komentojnë mbi propozimin e Presidentit Ahtisari


Më 2 shkurt, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari paraqiti propozimin për statusin e Kosovës. Një grup gazetarësh shqiptarë, serbë dhe rusë japin reagimet e tyre rreth propozimit të zotit Ahtisari.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara propozoi që Kosovës t’i garantohen të drejta të gjera, deri tek ajo për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare. Por propozimi parashikon të drejta të gjera edhe për pakicën jo-shqiptare si dhe masa të shumta për mbrojtjen e saj. Serbia menjëherë e dënoi planin si të barazvlefshëm me pavarësi për Kosovën.

Nga ana tjetër, autoritetet në Kosovë, Bashkimin Euriopian, dhe Shtetet e Bashkuara e shikojnë propozimin në një dritë pozitive. Liljana Smajloviç, kryeredaktore e gazetës “Politika” në Beograd, tha se reagimi serb ndaj propozimit të Ahtisarit, ishte negativ dhe emocional sepse ai nënkupton pavarësi për Kosovën, megjithëse kryenegociatori e shmang me mjaft kujdes këtë term. “Kjo është një çështje e shumë e delikate dhe evokon emocione të forta. Titulli ynë në faqen e parë ishte që pavarësia ishte e fshehur mes detajeve. E kishim fjalën për shtojcat në propozimin e Ahtisarit. Pa e thënë me zë të lartë, pa e përmendur me fjalë, ky është një propozim për një shtet krejtësisht të pavarur. Dhe kështu e trajtuam edhe ne. Nëse do të ketë pavarësi, serbët e mbetur do të largohen nga Kosova.”

Zonja Smajloviç thotë se megjithëse propozimi teorikisht garanton të drejta politike dhe siguri për pakicën serbe, serbët do të qendrojnë vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës. “Në një farë mase, popullata serbe është e mbrojtur për momentin. Problemi është se ata nuk mund të integrohen apo të kenë një jetë normale sepse janë të detyruar të jetojnë të rrethuar nga tela me gjëmba. Atyre iu duhet të kenë roje të armatosura edhe për të shkuar në postë nëse posta është diku jashtë enklavës së tyre. “Standartet para statusit” që theksojnë ndërkombëtarët, duket se nuk ka dhënë rezultat. Duket që kjo nuk është zgjidhja e drejtë, pra që dhuna dhe mosrespektimi për të drejtat e njeriut po shpërblehen me pavarësinë," thotë gazetarja Smajloviç.

Ndërsa, Blerim Shala, redaktor i gazetës “Zëri” të Kosovës, thotë se mes shqiptarëve përgjigjia ndaj propozimit ka qenë pozitive. "Nuk u habitëm. Ne e dinim që Ahtisari do të përgatiste një paketë e cila do t’i hapte derën pavarësisë. E gjithë paketa bazohet në tre elementë të rëndësishëm. E para, që Kosova do bëhet shtet. Por që do të ketë garancitë ndërkombëtare, si dhe një prani civile dhe ushtarake ndërkombëtare. Dhe përfundimisht ne do të kemi marrëveshje konkrete për pakicat, veçanërisht për serbët e Kosovës," thotë zoti Shala.

Në Beograd, gjithsesi, kryeministri Koshtunica ishte skeptik dhe kërcënoi se do të priste marrëdhëniet diplomatike me të gjitha vendet që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. "Serbia po përpiqet shumë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Mendoj se ky akt është shumë i rrezikshëm për Serbinë. E veçanta është se Rusia mund të vendosë veton për këtë projekt, ndonëse në të nuk është fjala pavarësi, por i jepen Kosovës gjithë të drejtat e një shteti sovran. Për momentin e vetmja lidhje që Serbisë i mbetet me Kosovën është kërcënimi rus për të vënë veton. Nëse rusët nuk do të flisnin për veton, mendoj që ky dokument do ta përmbante fjalën pavarësi,” thotë Smajloviç.

Në fakt Rusia është çelësi i asaj që do të ndodhë kur propozimi për statusin e Kosovës të kalojë në Këshillin e Sigurimit. Igor Zevelev, shef i zyrës për Uashingtonin në agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti, thotë se pozicioni i Rusisë është që propozimi i zotit Ahtisaari duhet përdorur si bazë për të vazhduar bisedimet por jo të hidhet menjëherë në votë në Këshillin e Sigurimit. "Fuqitë e mëdha nuk pëlqejnë ta përdorin veton në Këshillin e Sigurimit. Në fakt, vetoja është përdorur shumë rrallë. Mesa kuptoj Rusia do të përpiqet që të mos krijohet një situatë ku duhet përdorur veto-ja”.

Disa analistë aludojnë se Rusia do të abstenojë për të barazpeshuar votat në Këshillin e Sigurimit të cilat do t’i duheshin për kompromis në lidhje me rajonet e Abkhazisë apo Osetisë Jugore për të cilat Kremlini ka interesa të mëdha. "Presidenti Putin e ka thënë disa herë që nuk sheh ndryshim mes situatës në Kosovë dhe territoreve që përfshihen në të quajturën “Konflikti i ngrirë” i ish-republikave sovietike. Europa dhe Amerika thonë se Kosova është rast i veçantë, dhe zgjidhja e kësaj çështjeje nuk do të përdoret në situata të tjera. Rusët nuk janë dakord me këtë,” thotë gazetari Zevelev.

Por Blerim Shala thotë se shpreson që Rusia ta kuptojë që pozita e Kosovës në ish-Jugosllavi është e veçantë. "Nuk ka ngjashmëri mes Kosovës dhe pjesëve të tjera në botë. Dhe në të ardhmen ne duam të kemi marrëdhënie të mira me Moskën. Ne shpresojmë që të arrijmë një rezultat të mirë në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se çdokush shpreson që Rusia të mos verë veton, por të abstenojë."

Loja e vërtetë nis kur Ahtisaari do ta çojë paketën e propozimeve në New York. Por Igor Zevelev i agjencisë RIA Novosti thekson se megjithëse propozimi i zotit Ahtisaari është shumë i kujdesshëm në termat që përdor, ai qartazi e fut Kosovën në rrugën drejt pavarësisë së plotë përmes një ”pavarësie të kushtëzuar”. //ad//

XS
SM
MD
LG