Lidhje

Qosja: Plani i Marti Ahtisarit hap rrugën për pavarësinë e Kosovës


Për të biseduar për zhvillimet më të fundit në Kosovë, Zëri i Amerikës intervistoi me telefon nga Prishtina, në programin televiziv "Ditari", profesor Rexhep Qosen.

Zëri i Amerikës: Profesor Qosja, në kushtet kur zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, ka hyrë në fazën përfundimtare, dhe gjithkush bën thirrje për durim dhe maturi, të shtunën, protesa e Lëvizjes Vetëvendosja kundër planit të tanishëm për statusin, u shndërrua në një incident me dhunë, që i mori jetën dy të rinjve shqiptarë. Cili do të ishte komenti juaj për gjendjen e re të krijuar?

Prof. Rexhep Qosja: Ato që ngjanë të shtunën në Prishtinë, na kanë sjellë, në radhë të parë befasi, na kanë sjellë pikëllim dhe dëshpërim. Në Kosovë, prej vitit 1968, e sidomos prej vitit 1981, janë bërë shumë, shumë demonstrata dhe ne jemi mësuar t’i shohim rrugët e Kosovës të përgjakura, nga policia jugosllave e mandej serbe, por prej vitit 1999, prej 12 qershorit, nuk kemi pritur që do të ngjajnë përgjakje të rrugëve të Kosovës nga plumbat e policisë dhe në këtë rast nga plumbat e policisë ndërkombëtare. Kjo ishte shumë e papritur, kjo ishte pikëlluese dhe kjo ishte dëshpëruese. Sigurisht, që kjo ka sjellë shumë shqetësim në Kosovë dhe ka sjellë dëshpërim. Protestat janë të ligjshme, janë insititucion i demokracisë, dhe absolutisht nuk ka nevojë të priten në atë mënyrë prej policisë e në radhë të parë, prej policisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Pikërisht këto protesta ndodhin kur jemi shumë pranë zgjidhjes së statusi përfundimtar të Kosovës. A mendoni se kjo ngjarje mund të ketë pasoja në procesin e shtetformimit të Kosovës?

Prof. Rexhep Qosja: Nuk mendoj se mund të kenë pasoja në procesin e zgjidhjes statusit të Kosovës dhe në formimin e shtetit të Kosovës. Po të ketë pasoja, në mendimet atyre që do vendosin për statusin e Kosovës, atëhere do të thotë se ata nuk kanë menduar fare seriozisht. E ne jemi të bindur dhe ne mendojmë se ata do ta mendojnë dhe do ta zgjidhin statusin e Kosovës, ashtu siç është e drejta. D.m.th, duke i dhënë të drejtën popullit të Kosovës që të vetvendosë për fatin e vet. Mendoj që demonstratat nuk e cënojnë procesin e shtetformimit të Kosovës, por ato që e cënojnë, ato që e godisin është prestigji i insitucioneve politike të Kosovës, e në radhë të parë prestigji i policisë ndërkombëtare dhe i insitucionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Prestigji, edhe ashtu jo i shquar, edhe ashtu jo sigurtë, edhe ashtu shumë i luhatur, edhe ashtu i brishtë i institucioneve politike, për shumë arsye, ka marrë një goditje me reagimin e këtillë të policisë ndaj demonstruesve, ka marrë një goditje të fortë dhe ky është tani një prestigj në shkallë shumë të ulët.

Zëri i Amerikës: Pra, a mund kishte ndikuar klasa politike politike për të parandaluar këtë incident?

Prof. Rexhep Qosja: Sigurisht, se klasa politike do të mund të ndihmonte në parandalimin e asaj që unë po e quaj tragjedie, vrasje së dy të rinjve, plagosjes së afro 80 të tjerëve, e të burgosjes së disa të rinjve; por, ja është e çuditshme, nuk e quajti askush nevojën të dalë para tyre dhe të bisedojë me të rinjtë, dhe ndoshta nuk e ka quajtur kurrkush të arsyeshme të bisedojë me policinë, para se të dalë para të rinjve me gaz helmuesa, apo lotsjellës dhe me mjete të tjera që më në fund kanë sjellë vdekjen e dy të rinjve; por tani ne po i dëgjojmë që kanë thënë se kanë dashur të hyjnë në institucione, për shembull, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Po mirë, edhe po të hyjnë, ajo është ndërtesë e tyre. A nuk u gjend njeri, nga këto insitucione që t’u dalë përpara dhe t’u thotë këtyre të rinjve: po, djem, hyni, urdhëroni, thyeni, ndonjë dritare, thyjeni ndonjë karrige, ndonjë derë... Ato janë ndërtesat tuaja dhe ju do të hyni nesër atje. Ne jemi të përkohshëm atu, ju do të vini nesër në ato karrige, në ato zyra. Askush nuk do të hynte. Më në fund, ata dihet tashmë se nuk janë drejtuar për të hyrë në ato insitucione, por ata kanë bërë një parakalim plotësisht paqësor nëpër rrugët e Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Profesor Qosja, pas kaq kohë bisedimesh mes shqiptarëve dhe serbëve, Kryenegociatori Marti Ahtisari, e paraqiti propozimin e tij. Ndonëse zoti Ahtisari nuk ka pranuar të bëjë publik propozimin për statusin politik, duket se plani parashikon një pavarësi të mbikqyrur nga ndërkombëtarët, ndoshta një lloj forme qeverisjeje si ajo e Bosnjes. Cili është mendimi juaj për këtë status?

Prof. Rexhep Qosja: Fillimisht, unë mendoj se plani që ka paraqitur zoti Ahtisari para delegacionit të Kosovës, e hap rrugën për pavarësi të Kosovës, e hap rrugën, por a do të shkohet kësaj rruge deri në fund, kjo do të varet prej Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të aprovohet rezoluta e re për Kosovën. Mendoj se propozimi i Ahtisarit ka një të metë metodologjike: nuk i ka qartësuar gjërat deri në fund. Ne kemi dëgjuar për institucionet ndërkombëtare, duhet t’u thuhet shkoqur, pa dykuptimësi, përfaqësuesve të Kosovës, do t’u flitet pa dykuptimësi për statusin e Kosovës. Ka një të metë metodologjike, ai nuk është ndërtuar i qartë; ai është një propozim intelektual dhe nuk është poezi ajo. Ahtisari është dashur ta emërtojë: “pavarësi e detyruar”, “pavarësi e mbikqyrur”, jo të lejojë mundësinë për intrepretime të ndryshme, të cilat flasin për pavarësi me sovranitet, apo për pavarësi vetëm të brendshme, siç flasin disa të tjerë. Por këtë do ta shohim në Këshillin e Sigurimit. Unë mendoj që Kosova do të bëhet e pavarur, ky është një proces historik, kjo do të marrë fund, me pavarësinë e Kosovës. Por, propozimi i Ahtisarit ka një problem tjetër. Dhe ky është organizimi i brendshëm i Kosovës. Ç’është Kosova, sipas propozimit që bën Ahtisari? A është ajo një shoqëri multietnike, apo është ajo një shoqëri dy-etnike, vetëm e shqiptarëve dhe e serbëve. Mos do të thotë kjo se në Kosovën e Ahtisarit do të kemi dy entitete, mos do të thotë kjo që do të kemi ndarje të Kosovës? Sipas mendimit tim, do të thotë. Mos do të thotë kjo ndarje të Mitrovicës? Sipas mendimit tim, këtë do të thotë. Dhe kjo ndarje krijon një varg problemesh të brendshme në Kosovë, që Kosovën e bën politikisht dhe në pikëpamje juridike, kushtetuese, jo-funksionale. Komunat serbe do të kenë kontinuitet horizontal dhe lidhje vertikale me Serbinë, një vështirësi tjetër. Dhe tashti shtrohet pyetja: po mirë, në se Ahtisari e bën këtë, u jep këto të drejta, u jep këto të drejta komunitetit serb në Kosovë, që nuk i kanë komunitetet e tjera në Ballkan, mos hap kjo probleme të tjera në Ballkan, mos hap problemin e shqiptarëve në Maqedoni, mos e bën të pavlefshme marrëveshjen e Ohrit? Sa për qind serbë ka në Kosovë, 4-5-6 për qind, nuk dihet. Gjuha serbe do të jetë gjuha e dytë zyrtare në Kosovë, por gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni. Pra, lindin një varg problemesh. Pra, problemi i propozimit të Ahtisarit qëndron në organizimin e brendshëm të Kosovës, shumë më tepër se në statusin përfundimtar të Kosovës, të cilit ja lejon një rrugë për pavarësi, megjithatë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se klasa politike e Kosovës është e përgatitur sot për të marrë përsipër qeverisjen, pa një mbikqyrje ndërkombëtare?

Prof. Rexhep Qosja: Kosova, ka një përvojë administrative politike, Prej vitit 1984, Kosova kishte një autonomi relativisht të gjerë dhe ka patur në administratë një numër të madh njerëzish, kurse disa kosovarë kanë marrë pjesë edhe në institutcione politike, edhe në insitutcione politike federative. Mund të them se një përvojë politike, adminsitrative, shtetdrejtuese është krijuar në Kosovë. Kosova e sotme ka një përvojë politike, juridike, kushtetutare, ekonomike e të tjera, e të tjera, në saje të së cilës mund ta qeverisë Kosovën plotësisht, të sigurtë. Por pyetja për mua shtrohet kështu: a është kjo klasë politike, kjo që është sot në skenë, e aftë për qeverisjen e Kosovës? Ta themi: ka njerëz më pak, ka njerëz më pak, ka njerëz më shumë të aftë; ka njerëz që janë shkolluar në botën e jashtme, apo këtu. Kemi me mijëra, magjistra dhe doktora të shkencave. Ka potencial Kosova për qeverisje, por, këta që janë në pushtet, me disa përjashtime të pranueshme, të mira, profesionale; këta që janë në pushtet janë rrethuar me njerëz të vet, kryekëput të partive të veta, me miq, me far fis të vet, të afërm të vet: kjo është administrata e tyre dhe kjo shtron një varg problemesh. Problemi i tyre i palejueshëm është korrupsioni i tyre, i papranueshëm dhe i palejueshëm. Kjo i le plagosshëm ata profesionalisht dhe moralisht në sytë e popullit dhe në sytë e ndërkombëtarëve. Këto janë probleme, me të cilat duhet të merremi ne, me qëllim që ta bëjmë Kosovën plotësisht të aftë dhe dinjitoze, para të tjerëve, para botës për qeverisjen e vetvetes.

XS
SM
MD
LG