Lidhje

Engel: Plani Ahtisari është i favorshëm për Kosovën


Kongresmeni amerikan Eliot Engel i tha Zërit të Amerikës se plani Ahtisari është një plan i favorshëm për Kosovën dhe u bëri thirrje shqiptarëve ta mbështesin këtë plan. Kongresmeni demokrat i Nju Jorkut tha se Kosova do të bëhet e pavarur këtë vit dhe se Shtetet e Bashkuara si dhe vende të tjera do ta njohin shumë shpejt pavarësinë e saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, prej vitesh ju jeni shprehur në favor të pavarësisë për Kosovën. Ai i justifikon plani i zotit Ahtisari shpresat tuaja?

Eliot Engel: Mendoj se po. Mendoj se plani Ahtisari është një plan i mirë, i cili në mënyrë të qartë e vë Kosovën në rrugën drejt pavarësisë. Mendoj se ai nënkupton që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur dhe se populli i Kosovës duhet ta mbështesë këtë plan. Ky propozim nuk realizon qysh në fillim çdo gjë që ne do të dëshironim por ai deklaron hapur që Kosova do të jetë një shtet i pavarur dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara si dhe vende të tjera do ta njohin shumë shpejt Kosovën.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e shqiptarëve janë të shqetësuar nga mënyra se si propozimi i zotit Ahtisari është strukturuar, pra eme elementë që ata i shohin si një autonomi tepër të gjerë për serbët që sipas tyre përbën një ndarje de fakto të Kosovës. Cili është komenti juaj?

Eliot Engel: Nuk jam dakord me këtë. Unë mendoj se Kosova nuk mund të ndahet. Të gjithë e dinë se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës sepse nëse në Ballkan fillojnë ndarjet, atëhere kjo nuk do të ketë fund. Nëse lejohet për shembull që pjesa veriore e Mitrovicës apo minierat e Trepçës të jenë vetëm nën kontrollin e serbëve, atëhere edhe shqiptarët në vende të tjera do të kërkojnë që të ndryshojnë kufijtë. Megjithatë unë mendoj se për pakicat në Kosovë duhet të ketë mbrojtje. Kosova duhet të jetë një demokraci shumëetnike, banorët serbë të saj duhet të kenë të njëjta të drejta si edhe shqiptarët. Për shumë vite, serbët i trajtuan keq shqiptarët dhe unë mendoj se shqiptarët nuk duhet t’i trajtojnë serbët në të njëjtën mënyrë.

Zëri i Amerikës: Tensionet janë rritur ditët e fundit në Kosovë – një protestë e shqiptarëve të pakënaqur me propozimin e zotit Ahtisari dhe me negociatorët vendas shkaktoi të vdekur. Cilat janë rreziqet e dhunës në momente si këto që po kalon Kosova?

Eliot Engel: Së pari më lejoni t’u dërgoj ngushëllimet e mija të sinqerta familjeve të dy të rinjve që humbën jetën dhe të tjerëve që u plagosën. Është gjithmonë diçka e rëndë kur ndodhin gjëra të tilla dhe ne shprehim ndjenjat tona për ta dhe për familjet e tyre. Por duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos lejojmë që dhuna të dalë jashtë kontrollit. Unë besoj se Kosova është tamam në prag të pavarësisë. Nuk duhen lejuar të ndodhin gjëra që do t’u jepnin pretekst atyre që nuk e duan pavarësinë, të cilët mund të thonë se kosovarët nuk janë në gjendje ta qeverisin veten. Duhet përqendruar vemendja tek ajo që është më kryesorja dhe kjo është pavarësia.

Zëri i Amerikës: A përfaqësonin këta protestues vetëm veten e tyre apo një sektor më të gjerë të popullsisë kosovare?

Eliot Engel: Mendoj se ata janë njerëz që kanë shqetësime legjitime lidhur me qendrimin e pandryshueshëm të Serbisë, lidhur me Mitrovicën veriore, me Trepçën. Por mendoj se këto shqetësime duhen zgjidhur në një Kosovë të lirë dhe të pavarur dhe plani i Ahtisarit e vë Kosovën në rrugën e pavarësisë. Kosova do të ketë një vend në Kombet e Bashkuara, do të marrë pjesë në organizatat ndërkombëtare, do të ketë mundësi të marrë kredi nga Banka Botërore dhe të pranohet si vend i lirë dhe i pavarur. Pasi të ndodhë kjo nuk do të ketë më kthim prapa.

Zëri i Amerikës: Herë pas here ju keni qenë kritik i ashpër i administratave të ndryshme amerikane lidhur me qendrimin e tyre ndaj Kosovës. Çfarë mendoni për hapat e ndërmarra nga administrata Bush këto vitet e fundit për Kosovën?

Eliot Engel: Kur presidenti Klinton u largua nga posti dhe në Shtëpinë e Bardhë erdhi Presidenti Bush, pati një periudhë prej 4-5 vjetësh kur ata nuk bënë sa duhet për Kosovën dhe kjo ishte shqetësuese. Por mendoj se dy vitet e fundit ka patur një ndryshim në qendrimin e administratës Bush dhe përpjekjet e tyre lidhur me Kosovën kanë qenë mjaft pozitive. Me të gjithë ata që kam folur në administratë, që nga Sekretarja e Shtetit e deri te zyrtarët më të lartë, e kuptojnë dhe janë dakord se Kosova do të jetë një vend i pavarur prandaj jam i gëzuar me faktin që ata e kuptojnë se ajo që duhet bërë, duhet bërë tani dhe pa vonesë. Mendoj se Kosova do të jetë e pavarur këtë vit, se ajo do ta shpallë pavarësinë dhe se Shtetet e Bashkuara do ta njohin Kosovën si vend të pavarur. //ii

XS
SM
MD
LG