Lidhje

Parlamenti i ri i Serbisë hedh poshtë planin e OKB-së për Kosovën


Parlamenti i sapozgjedhur i Serbisë hodhi dje poshtë me shumicë dërrmuese votash planin e Kombeve të Bashkuara për mundësinë e pavarësisë së Kosovës, e cila është administruar nga OKB-ja që nga viti 1999.

Parlamenti me 250 anëtarë votoi 225 me 15 duke hedhur në këtë mënyrë poshtë planin e OKB-së. Vetëm grupimi më i ri në parlament, demokratët liberalë, votuan pro planit. Rezoluta e parlamentit thotë se propozimi i OKB-së, i publikuar më 2 shkurt nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, shkel ligjin ndërkombëtar duke mosrespektuar integritetin territorial të Serbisë.

Rezoluta u hartua nga kryeministri në largim Vojsllav Koshtunica, i cili vitin e kaluar mori mbështetjen e parlamentit për një kushtetutë që deklaroi Kosovën si pjesë të Serbisë. Presidenti serb pro perëndimor, Boris Tadiç, u rendit së bashku me zotin Koshtunica në mbështetje të rezolutës.

Kombet e Bashkuara pritet t’i japin fund misionit të tyre në Kosovë. Zotit Ahtisaari iu kërkua të hartonte një propozim pas muaj negociatash midis Prishtinës dhe Beogradit që nuk arritën bazën e një zgjidhjeje me kompromis. Plani i zotit Ahtisaari nuk kënaq as qeverinë e Beogradit dhe as shumicën shqiptare të Kosovës.

Rreth 90 përqind e popullatës në Kosovë janë shqiptarë dhe kërkojnë pavarësinë nga Serbia. Plani i zotit Ahtisaari nuk i jep Kosovës pavarësinë por është një projekt për vetëqeverisje, i cili mund të sjellë eventualisht pavarësinë. Plani parashikon gjithashtu mbrojtje të fortë për pakicën serbe. Megjithatë serbët thonë se nuk do të marrin pjesë në negociatat që zoti Ahtisaari do të zhvillojë më 21 shkurt në Vienë.

Borut Gurxhiç, ekspert për Kosovën i cili drejton Institutin e Sllovenisë për Studime Strategjike tha në një forum në Uashington se votimi i djeshëm në Serbi e komplikon procesin e negociatave.

“Në qoftë se ata e hedhin poshtë në tërësi planin e zotit Ahtisaari, atëherë mbyllet plotësisht rruga për negociata”.

Plani i zotit Ahtisaari pritet t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në muajin mars. Serbia shpreson që Rusia të përdorë veton për të mos lejuar miratimin e planit. Disa vende të tjera evropiane janë gjithashtu të shqetësuara se nëse miratohet shkëputja e Kosovës, ky rast mund të përdoret si precedent i rrezikshëm për pakicat e tjera të mbetura nëpër Evropë. //iç//

XS
SM
MD
LG