Lidhje

Itali: gjykatësi urdhëron gjyq për çështjen e klerikut egjiptian


Një gjykatës italian dha urdhër që 26 shtetas amerikanë, shumica e të cilëve mendohet se janë agjentë të CIA-s, si dhe ish-kryetari i shërbimit italian të zbulimit, të dalin në gjyq lidhur me akuzat për rrëmbimin e një kleriku mysliman nga CIA në vitin 2003.

Gjykatësi ka caktuar 8 qershorin si datën kur do të zhvillohet gjyqi. Mes të pandehurve ështe edhe ish-shefi italian i zbulimit, Nicola Pollari. Prokurorët i kanë bërë thirrje qeverisë italiane të kërkojë ekstradimin e shtetasve amerikanë.

Kleriku egjiptian Osama Hasan Mustafa Nasr, i njohur si Abu Omar, thotë se e rrëmbyen me forcë në një furgon në Milano, e çuan në bazën ajrore amerikane të Avianos, pastaj e dërguan me avion në Gjermani dhe më pas, në Egjipt.

Atë e liruan nga burgu në Egjipt, në fillim të javës, pas dy vjet burgimi. Nasr tregon se e kanë torturuar gjatë kohës kur ishte në burg. Prokurorët pretendojnë se klerikun e kanë rrëmbyer, në kuadrin e një programi të CIA-s, për kapjen e të dyshuarve për terrorizëm dhe dërgimit në një vend të tretë, për t’u marrë në pyetje.

Shtetet e Bashkuara kanë pranuar se kanë transferuar në fshehtësi në vende të treta persona të dyshuar për terrorizëm, por mohojnë të kenë dhënë urdhër për torturimin e tyre. //ii

XS
SM
MD
LG