Lidhje

Presidenti Moisiu bën thirrje për pjesëmarrje të lartë në votime


Presidenti Alfred Moisiu tha sot se zgjedhjet vendore të 18 shkurtit janë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Zoti Moisiu bën thirrje qytetarëve për pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet vendore të së djelës.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu u bëri sot thirrje qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë në votimet e të djelës për pushtetin vendor. Ai ju drejtua vendit me nje mesazh mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

"Të dashur bashkëqytetarë! Edhe njëherë ju ftoj që me pjesëmarrjen dhe me votën tuaj, të ndihmoni që 18 shkurti të jetë një ditë suksesi dhe fitoreje për Shqipërinë! Ju ftoj të gjithëve në votime!"

Zoti Moisiu tha se zgjedhjet vendore janë rasti më i mirë për cdo qytetar që të ndikojë në përmirësimin e jetës së vet, duke zgjedhur bashkiakët që do të drejtojnë qytetet.

"Duke marrë pjesë në zgjedhje dhe duke votuar kandidatin dhe partinë që i besoni, ju përmbushnin një të drejtë kushtetuese, por edhe një përgjegjësi të madhe qytetare. Shqipëria është e jona dhe nëse ne nuk punojmë për të, nuk ndihmojmë me votën tonë për zhvillimin e saj, për përparimin dhe progresin e saj, atëherë askush tjetër nuk do ta bëjë këtë".

Zoti Moisiu theksoi se këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike.

"Shanset tona për integrim në NATO dhe për bashkëpunim të afërt me BE bëhen të mëdha. Unë besoj se çdo shqiptar, politikan apo votues e do integrimin dhe Shqipërinë, prandaj dua të besoj gjithashtu që secili do të bëjë detyrën e vet qytetare e ligjore, larg formave të mundshme të spekullimit dhe cënimit të vullnetit të popullit".

Presidenti Moisiu u bëri thirrje gjithashtu partive politike, Komisionit Qendror dhe komisioneve zonale të zgjedhjeve, dhe forcave të rendit që të zbatojnë vetëm ligjin, në shërbim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të 18 shkurtit. //rd//

XS
SM
MD
LG