Është tensionuar së tepërmi në orët e mbrëmjes situata në Komunën e Bushatit në rrethin e Shkodrës, ku disa qindra mbeshtetës të dy kandidatëve rivalë janë vendosur përballë njëri - tjetrit.
Mbeshtetësit e kandidatit të pavarur dolën në rruge pasdite, duke kërkuar me thirrje të shumta që të lejohet fillimi i procesit të numërimit të votave. Ndërsa mbështetësit e kandidatit të djathtë po protestojnë prej 24 orësh duke mos lejuar që të fillojë procesi i numërimit te votave, pasi ata kërkojnë përsëritjen e plotë të votimit për shkak të parregullsive që kanë vërejtur.
Ndërkohë, në lidhje me situaten e tensionuar në Bushat të Shkodrës, reagoi edhe Drejtori i Pergjitheshem i Policise së Shtetit, Bajram Ibraj. Ai i kërkoi forcave politike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të ndërhyjnë në bazë të ligjit për zgjidhjen e situatës.
Ne deklaraten e tij, Drejtori i Pergjithshëm i policisë shqiptare, sqaron se situata e krijuar ne Bushat, nuk mund të zgjidhet me ndërhyrjen e forcave të policisë, por vetëm me ndërhyrjen e e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Forcave Politike. Zoti Ibraj shprehet se Policia e Shtetit, që në momentet e para, ka vlerësuar ankesat dhe shqetësimet e paraqitura dhe ka marrë masa të plota, jo vetëm me strukturat e policisë vendore, por duke dërguar ne Bushat edhe drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Policia e Shtetit garanton se do të vazhdojë me profesionalizëm e përgjegjësi të lartë detyrën dhe do të zbatojë ligjin. //kk//