Lidhje

Karnavalet e sivjetshme në Nju Orlins, shenjë pozitive rimëkëmbjeje


Karnavalet që i paraprijnë agjërimit para Pashkëve katolike përfunduan në New Orleans. Këto festime të bujshme që njihen me emrin Mardi Gras tërhoqën turma shumë më të mëdha se vitin e kaluar dhe zyrtarët thonë se kjo po ndihmon përpjekjet për rimëkëmbjen e qytetit pas Uraganit Katrina që goditi qytetin në gusht 2005.

Ky ishte viti i dytë që qyteti i New Orleansit po feston Mardi Granë që pas Uraganit Katrina. Zyrtarët lokalë thonë se ky është sukses si nga fondet që i ka sjellë qytetit, ashtu edhe për domethënien simbolike për rigjallërimin e New Orleansit.

Popullsia e qytetit vazhdon të jetë nën 50 për qind të nivelit që kishte para Uraganit Katrina, por shumë banorë që janë kthyer thonë se janë të vendosur të rindërtojnë jetën që kishin para Katrinës. Njerëzit kanë marrë masa pa pritur për qeverinë.

Një ndër problemet më të mëdha për qytetin dhe imazhin e tij mbetet niveli i kriminalitetit. Që nga fillimi i këtij viti, 27 vetë janë vrarë në New Orleans, 9 prej tyre brenda një periudhe 7 orëshe javën e kaluar.

Por Kevin Kelly, një biznesmen dhe banor i New Orleansit thotë se shumica e këtyre krimeve ndodhin në zona larg lagjes së famshme turistike, French Quarter: "Njerëzit mund të ndeshin probleme nëse jetojnë në zona me kriminalitet të lartë, përgjithësisht në lagjet e varfëra, ku ka edhe shumë kontrabandë droge."

Shumë banorë, të revoltuar nga niveli i krimit, morën pjesë muajin e kaluar në një protestë, ku i kërkonin kryetarit të bashkisë Ray Nagin dhe forcave të rendit të bëjnë më shumë për të ndrequr problemin. Por Kevin Kelly thotë se problemi i krimit nuk ka penguar investimet në qytet dhe rritjen e shpejtë të pronës së patundshme, një pjesë e së cilës nxitet nga projektet e qeverisë federale që kanë për qëllim të rigjallërojnë qytetin: "Kemi pasur investues në pasuri të patundshme të ardhur nga Gjermania dhe Londra e mbarë Shtetet e Bashkuara. Qeveria federale ka krijuar nxitje shumë pozitive, përmes uljes së taksave, për të shtuar investimet."

Një pjesë e mirë e New Orleansit është nën nivelin e detit dhe mbrohet nga diga, disa prej të cilave u çanë gjatë Uraganit Katrina. Rreth 80 për qind e qytetit u përmbyt si rezultat, dhe zonat e goditura më rëndë mbeten të pabanueshme. Por lagjet e qytetit që ndodhen më lart nivelit të detit përgjatë brigjeve të Lumit Misisipi dhe qendra e qytetit po e marrin veten shpejt dhe zyrtarët thonë se bizneset atje po lulëzojnë.//ad//

XS
SM
MD
LG