Lidhje

Nën-presidenti Çejni vazhdon vizitën në Australi


Nënpresidenti amerikan Dik Çejni shprehu sot shqetësim lidhur me fuqizimin ushtarak të Kinës dhe e falënderoi Australinë për mbështetjen në luftën kundër terrorizmit. Kjo është dita e dytë e vizitës së zotit Çejni në këtë vend të Paqësorit Jugor.

Në fjalën që mbajti sot në Sidnei, nënpresidenti amerikan e vlerësoi Kinën për rolin që ka luajtur në bisedimet 6-palëshe për programin bërthamor të Koresë së Veriut. Por, tha ai, veprime të tjera të qeverisë kineze, japin mesazhe të ndryshme.

Zoti Çejni tha se prova e kohëve të fundit e Kinës me raketa anti-satelitore dhe fuqizimi ushtarak me ritme të shpejta, nuk është në përputhje me synimin e shpallur prej saj, forcimin e vendit si një fuqi botërore paqësore.

Zoti Çejni shprehu shpresën se Kina do t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Australisë për parandalimin e dislokimit të teknologjive të rrezikshme në Azi dhe në Lindjen e Mesme.

Nënpresidenti e falënderoi Australinë për mbështetjen në luftën kundër terrorizmit dhe tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk mund të lejojnë braktisjen e Irakut dhe vendeve të tjera, të cilat mund të shërbenin si strehë për terroristët. //ze//

XS
SM
MD
LG