Lidhje

Irak: Të paktën 40 persona humbin jetën nga një sulm vetëvrasës


Policia irakiane thotë se nga një sulm vetëvrasës gjetën vdekjen të paktën 40 vetë dhe u plagosën më shumë se 30 të tjerë pranë një qytezë studentësh në Bagdad.

Sipas policisë autori i sulmit aktivizoi bombën në hyrjen e Fakultetit Ekonomik dhe atij të Biznesit. Policia thotë se shumica e viktimave ishin studentë. Fakulteti ndodhet në një zonë kryesisht shiite të Bagdadit dhe është degë e Universitetit Mustansiriah, i cili ka qenë objektivi i dy sulmeve të tjera me bomba muajin e kaluar ku gjetën vdekjen 70 persona.

Policia irakiane njoftoi gjithashtu disa shpërthime me makina bombë si dhe një sulm me raketë në Bagdad. Në njërin prej incidenteve, një raketë goditi një zonë shiite në Bagdadin Jugor, duke vrarë 10 vetë.

Ndërsa një makinë bombë shpërtheu pranë ambasadës iraniane, duke vrarë 2 kalimtarë. Autoritetet thonë se ambasada nuk ishte objektivi i sulmit.

Në lajme të tjera kleriku radikal shiit Moktada Al-Sadër, u ka bërë thirrje forcave irakiane të sigurisë të mos bashkëpunojnë me trupat amerikane në operacionin për vendosjen e sigurisë në Bagdad.

Në një deklaratë që kleriku bëri sot i cilësoi trupat amerikane si forca pushtuese. //kk//

XS
SM
MD
LG