Lidhje

NATO-ja thotë se dhuna dëmton të ardhmen e Kosovës


Admirali Henri Ulrik, Kreu i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, tha sot në Prishtinë se kryenegociatori Marti Ahtisari ka paraqitur një rrugë të qartë për të ardhmen e Kosovës. Admirali Ulrik tha se aleanca është shumë e shqetësuar për dhunën që ndodhi më 10 shkurt, dhe bombat e fundit në makinat e Kombeve të Bashkuara. Ai theksoi se incidente të tilla janë kundër-produktive dhe destruktive për të ardhmen e Kosovës.

Admirali Ulrik konfirmoi sot në Prishtinë se Aleanca ka përgatitur një propozim sesi do të punojë për trajnimin dhe përgatitjen e forcës së ardhshme të sigurisë së Kosovës, siç ofrohet në propozimin e kryenegociatorit Marti Ahtisari. Admirali Ulrik i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin Agim Çeku.

“Një nga gjërat për të cilat fola me kryeministrin është se ne kemi qenë duke punuar në Napoli, unë dhe stafi im, në propozimin sesi ta bëjmë këtë. Unë synoj ta nënshkruaj këtë të hënën dhe ta dërgoj në Bruksel për shqyrtim. Kjo ka kaluar në një rishikim të plotë nga shefi im, dhe nga komiteti politik në Bruksel”.

Kryeministri Agim Çeku, theksoi se Prishtina e mirëpret faktin që kryenegociatori propozon një numër institucionesh të sigurisë për Kosovën, përfshi këtu edhe forcën e re të sigurisë, dhe shërbimin e zbulimit. Admirali Ulrik vlerësoi propozimin e zotit Ahtisari dhe theksoi se dhuna në Kosovë nuk do të tolerohet.

“Zoti Ahtisari ka paraqitur një rrugë të qartë për të ardhmen e Kosovës. Për fat të keq diskutuam edhe dy vdekjet që ndodhën dy javë më parë, shpreha ngushëllimet e mija të sinqerta për familjet e atyre që vdiqën. UNMIK-u më ka siguruar se ata po mbikqyrin dhe sigurojnë që të bëhet një hetim gjithëpërfshirës, dhe që ai hetim do të përfundojë në një të ardhme të afërt. Ne jemi shumë të shqetësuar për dhunën që ndodhi më 10 shkurt, dhe bombat e fundit në makinat e Kombeve të Bashkuara. Presidenti, kryeministri dhe unë ramë dakord që incidente të tilla janë kundër-produktive dhe në të vërtetë destructive për të ardhmen e Kosovës. Demostratat paqësore janë natyrisht pjesë e procesit politik në shoqëritë demokratike dhe ne mbështesim të drejtën e të gjithë qytetarëve për të shprehur opinionet e tyre. Megjithatë, dhuna nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet dhe populli i Kosovës meriton shumë më tepër”.

Presidenti Sejdiu e cilësoi shumë të rëndësishëm takimin me admiralin Ulrik. Kryenegociatori Marti Ahtisari ka propozuar vendosjen e një pranie civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë pas zgjidhjes së statusit, e cila konsiderohet mjaft e rëndësishme për zbatimin e marrëveshjes për statusin. //kk//

XS
SM
MD
LG