Lidhje

Ish kryeministri i Kosovës Haradinaj shkoi sot në Hagë


Ish kryeministri Haradinaj u nis për në Hagë ndërkohë që qindra përkrahës të tij ishin mbledhur në aeroportin e Prishtinës në shenjë solidariteti.

Haradinaj, udhëheqës i Aleancës për të Ardhmen e Kosovës, do të dalë para Gjykatës së Hagës më 5 mars.

Ai akuzohet për pjesmarrje në komplot për të vrarë, përdhunuar dhe torturuar serbë dhe romë të Kosovës. Zoti Haradinaj i ka mohuar akuzat.

Njëri nga simpatizantët e Haradinajt që priste në aeroportin e Prishtinës u tha gazetarëve se ish kryeministri është i pafajshëm.

“Ai do të shkojë dhe do tregojë të vërtetën e së shpejti do të jetë i lirë. Ai është i pafajshëm.”

Akuzat ndaj Haradinajt u ngritën në vitin 2005 dhe ai u dorëzua vetë në Gjykatë.

Ai u lejua të kthehet në Kosovë si dhe të kryente funksionet si kryetar i partisë së tij, e cila bën pjesë në koalicionin qeverisës.

Duke folur të premten në takimet e fundit me zyrtarët para nisjes, Haradinaj tha se besonte që drejtësia do të fitojë. Haradinaj ka qenë njëri ndër komandantët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, e cila përkrahej nga Perëndimi.

Aktpadia kundër tij në shkurt të 2005-s përmbante 35 akuza për krime lufte që thuhet se janë kryer në vitin 1998, disa muaj para se fushata ajrore e NATO-s t’i detyronte trupat serbe të tërhiqeshin nga Kosova dhe t’i jepnin fund spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

Në padi ngrihen akuza edhe ndaj dy zëvendësve të tij në Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Që të tre kanë deklaruar se nuk janë fajtorë dhe mund të dënohen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.

Haradinaj është zyrtari më i lartë në Kosovë ndaj të cilit ngrihen akuza nga Gjykata e Hagës. //ze//

XS
SM
MD
LG