Lidhje

Plane për bisedime me Uashingtonin, Sirinë dhe Iranin mbi Irakun


Departamenti i Shtetit tha dje se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në dy konferenca mbi Irakun, ku mund të përfshihet një dialog i zyrtarëve amerikanë me homologë nga Irani dhe Siria. Qeveria irakiane po i organizon këto takime, njëri prej të cilëve në nivel diplomatësh në Bagdat muajin e ardhshëm, ndërsa i dyti përfshin ministra të jashtëm dhe do të zhvillohet nga mesi i prillit.

Dy takimet nuk përbëjnë ndonjë ndryshim në politikat amerikane, por mund të ofrojnë mundësinë e rrallë për një dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarëve amerikanë me zyrtarë sirianë dhe iranianë lidhur me zhvillimet në Irak. Takimet zhvillohen me nismën e qeverisë irakiane, e cila shpreson se këto kontakte rajonale mund të ndihmojnë për stabilizimin e vendit.

Në takimin e parë në Bagdat në mes të marsit do të marrin pjesë ambasadorë nga vendet fqinje të Irakut, përfshirë Iranin dhe Sirinë dhe të dërguar nga 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Takimi i dytë, që ka të ngjarë të zhvillohet në prill, do të jetë në nivel ministror. Në takim marrin pjesë përfaqësues nga Grupi i 8-shes ku përfshihen vendet më të industrializuara si Japonia, Italia, Gjermania dhe Kanadaja.

Vendi i takimit nuk është bërë i njohur, por zyrtarët amerikanë thonë se ka të ngjarë të zhvillohet në Lindjen e Mesme, por jo në Bagdat, ku kushtet e sigurisë do të bënin të pamundur mbajtjen e një takimi të tillë.

Në një seancë me pyetje-përgjigje dje në Senatin amerikan, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs pohoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në këto takime, dhe vuri në dukje se Siria dhe Irani do të ftohen të marrin pjesë dhe se edhe ato kanë interes për një Irak të qëndrueshëm: "Dhuna në Irak ka një ndikim të padiskutueshëm mbi fqinjët e tij. Vendeve fqinje, si dhe komunitetit ndërkombëtar u takon të luajnë një rol të qartë në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë irakiane për të nxitur paqen dhe pajtimin kombëtar në këtë vend."

Pavarësisht nga marrëdhëniet e ftohta, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një ambasadë në Siri, por nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Iranin prej afro 3 dekadash.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack nuk përjashtoi mundësinë e komunikimit ndërmjet Sekretares Rajs dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë të pranishëm në takimet, me homologët iranianë dhe sirianë. Por ai tha se kjo nuk nënkupton ndonjë ndryshim në politikat amerikane dhe në rastin e Iranit shtoi se nuk do të ketë negociata derisa qeveria e Teheranit të përmbushë kërkesat ndërkombëtare për t’i dhënë fund pasurimit të uraniumit: "Mund të ketë diskutime mbi çështje që lidhen me Irakun, por kjo nuk nënkupton zhvillimin e negociatave. Në diplomaci nevojitet një farë elasticiteti, nëse synon të arrish objektivat që dëshiron. Po e përsëris se fokusi i takimeve në Bagdat do të jetë Iraku."

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Sirinë se lejon luftëtarë të huaj të kapërcejnë kufirin dhe të futen në Irak dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë paraqitur kohët e fundit ato që i cilësojnë si prova se armë të prodhimit iranian po përdoren në sulme kundër forcave amerikane në Irak. Të dyja vendet i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Zëdhënësi McCormack tha se do të ishte kundër-produktive për Shtetet e Bashkuara që të shmangnin dy takime rajonale që mund të ndihmojnë për t’i bërë më të sigurta forcat amerikane në Irak. //ad//

XS
SM
MD
LG