Lidhje

Debati mbi vaksinën për parandalimin e kancerit të mitrës


Një studim i ri thotë se afërsisht një në katër gra ka virusin Papiloma të njohur ndryshe si infeksioni HPV. Infeksioni mund të çojë në kancerin e qafës së mitrës dhe vitin e kaluar shkaktoi vdekjen e 4 mijë grave në Shtetet e Bashkuara. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve ka miratuar një vaksinë që mund të pakësojë rastet e kancerit të mitrës tek gratë. Por në mbarë vendin ka filluar një debat në rritje lidhur me faktin në se vajzat e reja duhet ta marrin apo jo vaksinën.

Studimi u publikua në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë dhe flet për ndikimin e virusit Papiloma apo infeksionit HPV tek gratë amerikane. Doktoresha Eileen Dunne mori pjesë në studim. “Zbuluam se përhapja e virusit HPV midis femrave nga mosha 14 deri në 59 vjeç ishte 26 përqind që do të thotë se një në katër gra është e infektuar me virusin HPV. Përhapja ishte më e lartë nga mosha 20 deri në 24 vjeç. Gati gjysma ishin të infektuara me virusin”, thotë zonja Dunne.

Studimi përdori të dhëna mjekësore të mara nga më shumë se 2 mijë gra për të llogaritur nivelin e infeksionit HPV në vend. Doktoresha Dunne thekson se shumë nga infeksionet me virusin HPV nuk çojnë në kancerin e mitrës. “Virusi papiloma është shumë i zakonshëm, por shumë infeksione zhduken. Te disa gra ky infeksion reziston dhe mund të shkaktojë kancerin e mitrës”.

Infeksionit HPV mund të parandalohet. Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve rekomandon që femrat midis moshës 9 dhe 26 vjeç të marrin vaksinën Gardasil të prodhuar nga kompania farmaceutike Merck. Vaksina është më e efektshme kur bëhet para se vajzat të jenë seksualisht aktive dhe të ekspozuara ndaj infeksionit.

Por vaksina është e shoqëruar me një debat në rritje. Disa ligjvënës po përpiqen ta bëjnë imunizimin ndaj virusit Papiloma të detyrueshëm për vajzat e reja. Në shtetin e Teksasit, guvernatori republikan Rick Perry nxorri një urdhër ekzekutiv i cili u kërkon vajzave që hyjnë në klasën e gjashtë të vaksinohen kundër virusit: “Për herë të parë, kemi një vaksinë që mund të parandalojë kancerin”, thotë Perry.

Por disa ligjvënës nga Teksasi po e kundërshtojnë urdhërin e guvernatorit dhe një grup familjesh po e padisin atë në përpjekje për të bllokuar vendimin. Ideja e vaksinimit të detyruar për vajzat e reja irriton disa konservatorë që besojnë se kjo mund të inkurajojë aktivitetin seksual.

Debate të ngjashme po zhvillohen në shtete të tjera në mbarë vendin mbi mundësinë e vaksinimit të detyruar kundër virusit HPV. Por mjekë si Ira Horowitz theksojnë se vaksina nuk është e vetmja mënyrë për të parandaluar virusin. "E para është parandalimi i marrëdhënieve seksuale, e dyta përdorimi i prezervativëve që nuk është 100 përqind i efektshëm dhe e treta vaksina", thotë mjeku.

Debati mbi vaksinën vazhdon, por mjekët shpresojnë se ai do të çojë në pakësimin e rasteve të kancerit të mitrës në të ardhmen. //rd//

XS
SM
MD
LG