Lidhje

Bejker: Duhet baraspeshë mes përdorimit të forcës dhe diplomacisë


Ish sekretari amerikan i shtetit Xhejms Bejker, thotë se politika e jashtëme e Shteteve të Bashkuara duhet të përpiqet për një baraspeshë midis përdorimit të forcës ushtarake dhe diplomacisë. Zoti Bejker foli për një politikë të jashtëme që ai e quan “idealizëm pragmatik” dhe tha se Shtetet e Bashkuara duhet të shfrytëzojnë të gjitha rrugët diplomatike para se të ndërmarrin një veprim ushtarak.

Xhejms Bejker, Sekretari i 61-të i shtetit në administratën e Presidentit Xhorxh Herbert Uoker Bush, thotë se sfidat globale që kanë vënë në provë politikën e jashtëme amerikane mund të përballohen më mirë me një kombinim të forcës dhe diplomacisë.

Në një fjalim që mbajti të hënën në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, zoti Bejker foli për një politikë të jashtëme që ai e quan “idealizëm pragmatik”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të druhen në përdorimin e forcës kur rrezikohen interesat e tyre jetike: "Ne nuk kemi alternativë tjetër. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk e përdorin forcën, këtë do ta bëjnë të tjerët."

Zoti Bejker ishte sekretar shteti gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991, kur një koalicion i përbërë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende evropiane e arabe çliruan Kuvajtin pas pushtimit nga Iraku i Saddam Husseinit. "Është thuajse gjithmonë e preferueshme të veprohet në bashkëpunim me vende të tjera. Por kur rrezikohen interesat tona, ne duhet të jemi të përgatitur që ta bëjmë vetë, nëse është e nevojshme."

Megjithatë, tha zoti Bejker, Shtetet e Bashkuara duhet të shfrytëzojnë të gjitha rrugët diplomatike para se të ndërmarrin një veprim ushtarak. Diplomacia, tha ai, përfshin edhe përpjekjet për të biseduar me regjimet jo mike: "Arësyeja themelore që ne duhet të jemi të gatshëm të bisedojmë me armiqtë është se kjo përputhet me interesat tona. Pikërisht për këtë arësye ne kishim ambasadë në Moskë gjatë gjithë Luftës së Ftohtë."

Një politikë e jashtëme efikase, tha zoti Bejker, është një kombinim i realizmit dhe idealizmit. Shteteve të Bashkuara, theksoi ai, do t’u duhet që ndonjëherë të punojnë me regjime autoritare:

Në një “botë të përsosur” ndoshta ne do të punonim vetëm me demokracitë. Për fat të keq, bota ku jetojmë nuk është e përsosur. Dhe nuk ka ndonjë shenjë që kjo mund të ndodhë shpejt. Le ta themi hapur: ndonjëherë nuk kemi alternativë por të punojmë me qeveri të cilat nuk i plotësojnë standardet e praktikave demokratike dhe të mbojrtjes së të drejtave të njeriut.

Në fjalimin e tij, zoti Bejker paralajmëroi që forca ushtarake amerikane të mos përdoret përtej mundësive të saj. Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk mund të jenë “polici i botës”:

Ish sekretari amerikan i shtetit, Henri Kisinxher e quajti fjalimin e zotit Bejker “një deklaratë të rëndësishme e cila parashtron aksiomat e politikës së jashtëme amerikane”. Zoti Kisinxher theksoi rëndësinë e idealeve në politikën e jashtëme por tha se një strategji e suksesshme përfshin njohjen e asaj që është e mundur: “Arti i drejtimit të shtetit është të veprosh brenda një kufiri që mund të mbahet për një periudhë të gjatë kohe, sepse historia është më e gjatë se çdo administratë,” tha Kisinxher.

Për të dëgjuar fjalimin e ish sekretarit të shtetit Bejker kishin ardhur një numër anëtarësh të Kongresit dhe zyrtarësh të administratës. //ii

XS
SM
MD
LG