Lidhje

Bashkimi Evropian shprehet pozitivisht rreth bisedimeve mbi anëtarësimin e Turqisë


Zyrtarë të Bashkimit Evropian po shprehin shpresë se bisedimet mbi anëtarësimin e Turqisë në radhët e Bashkimit mund të intensifikohen së shpejti dhe se do të zgjerohen në katër aspekte të reja politike.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian u tha gazetarëve sot në Bruksel, se organi ekzekutiv i Organizatës shpreson që të shohë zgjerimin e bisedimeve deri në korrik dhe që ato të përfshijnë çështje, si politikat industriale dhe të sipërmarrjes.

Bashkimi Evropian i pezulloi në dhjetor bisedimet lidhur me 8 nga 35 pikat në negociatat me Turqinë, për shkak të refuzimit të Ankarasë për t’i hapur portet dhe aeroportet anijeve dhe avionëve të Qipros.

Në vitin 2005 Turqia ra dakord ta zgjerojë marrëveshjen me doganat evropiane për të përfshirë 10 vendet që u pranuan në organizatën evropiane një vit më parë, mes tyre edhe me qeverinë e Qipros nën udhëheqjen greke, të njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Por Turqia nuk i normalizoi lidhjet tregtare me atë vend. Ankaraja u zotua t’i hapë portet për Qipron, nëse zyrtarët e Bashkimit Evropian i japin fund izolimit ndaj turqve të Qipros. //ze//

XS
SM
MD
LG